Lajme

Ish-këshilltari i Kurtit pasi s’u votua Projektkodi Civil: Kryeministri është i obliguar ta kërkojë votëbesimin në Kuvend


Durim Berisha, ish-këshilltar i Jashtëm Politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ka thënë se duhet të ketë votëbesim për Qeverinë në Kuvend pas dështimit të votimit të Projektkodit Civil.

“Me dështimin e Qeverise për ta kaluar Kodin Civil, pra një nisme legjislative, duke u bazuar ne parimet e pashkruara kushtetuese të një sistemi kushtetues parlamentar, kryeministri është i obliguar ta kërkojë votëbesimin në Kuvend”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Sipas tij, ministrja e resorit përkatës do duhej ta kishte parasysh këtë çështje para se te procedonte tutje.

“Pasojat janë edhe kushtetuese, jo vetëm politike”.

Berisha ka theksuar se një rast i ngjashëm pati ndodhur me ish-kancelarin e Gjermanisë, Gerhard Schroder.

“Për ata qe ju intereson kjo çështje le ta lexojnë vendimin e Gjykatës Federale Kushtetuese te Gjermanisë ne rastin e mocionit te votëbesimit te ish-kancelarit Schroder te vitit 2005”.

“Aty sqarohet shume mire pasoja e dështimit të Qeverise për ta kaluar një ligj në parlament”, ka shtuar ai.

Ndryshe nga 61 deputetët, të cilët votuan, vetëm 28 prej tyre kanë votuar pro, ndërsa kundër 29. Katër deputetë abstenuan.

Disa nga deputetët e Vetëvendosjes, jo që nuk kanë votuar pro, por edhe kanë kundërshtuar ashpër projektkodin.

Si është aktualisht e rregulluar kjo çështje?

Me Kushtetutën e Kosovës, parashikohet që “në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Por, ka një deformim më pas në Kodin Civil aktual, pasi që aty konkretizohet martesa si një e drejtë që i takon vetëm një dysheje heteroseksuale.

“Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore