Sport

Inter, Inzaghi: Një fitore me Juven mund të na japë një shtysë të madhe


Trajneri i Inter-it, Simone Inzaghi, ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes së të dielës me Juventus-in.

Inter-i do të vijë në këtë sfidë pas humbjes 3-1 me Lacio-n. Por, në mesjavë arriti një fitore shumë të rëndësishme 3-1 përballë Sheriff-it në Champions League.

“Një ndeshje si kjo ju jep një shtysë (lojtarëve) që shkon përtej tre pikëve, Juve është një rival historik. Ne e dim vlerën e ndeshjes”, tha Inzaghi.

“Juve është një ekip që ka rezultate të shkëlqyera dhe ne duhet t’i kushtojmë vëmendje të madhe. Ne kemi punuar për këtë sepse jemi të vetëdijshëm për ekipin me të cilin përballemi”.

“Para Lazios ne kishim humbur vetëm nga Real Madrid-i, duke luajtur shumë mirë”, shtoi më tej tekniku.

“Humbja në ‘Olimpico’ na ngadalësoi, por skuadra është e vetëdijshme për qëllimet e saj, është e qartë se ne gjithmonë duhet të përpiqemi të përmirësohemi”.

“Në Champions League kemi mundur kryesuesit e grupit. Për ne ishte një finale”, përfundoi tekniku zikaltër.

Inter-i pas tetë javëve të luajtura në Serie A ka arritur të marrë pesë fitore, dy barazime dhe një humbje. Zikaltrit kanë 17 pikë dhe renditen në vendin e tretë. Juventus-i ka 14 pikë dhe renditet në vendin e shtatë.

Ndërkohë, kryesimi i Serie A mbahet nga Napoli. Djemtë e Luciano Spalletti-t, nuk kanë humbur ose barazuar asnjë ndeshje këtë sezon. Ata kanë 24 pikë të plota. Pas tyre vjen Milan-i me 22 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore