Lajme

Imran Khan përshëndet mbështetësit teksa policia tërhiqet nga shtëpia e ish-kryeministrit


Imran Khan ka përshëndetur mbështetësit jashtë shtëpisë së tij, disa orë pasi pati përleshje të dhunshme teksa policia u përpoq ta arrestonte.

Udhëheqësi kryesor i opozitës pakistaneze iu drejtua turmës dhe bëri foto me ata që ishin mbledhur pranë kompleksit të tij në qytetin e Lahore.

Një zyrtar ka thënë për “BBC”-në se operacioni i arrestimit ishte ndërprerë.

Ministri i Përkohshëm i Informacionit, Amir Mir, ka thënë se operacioni i urdhëruar nga gjykata për ndalimin e Khan u pezullua për të lejuar që një turne kriketi të zhvillohej aty pranë.

Kjo pasi përplasja po shkaktonte ndërprerje të mëdha të trafikut. Sipas tij, operacioni ka të ngjarë të vazhdojë pas finales së Superligës së Pakistanit (PSL) më 19 mars.

Asnjë kriket ndërkombëtar nuk u luajt në Pakistan për gjashtë vjet pas një sulmi ndaj ekipit të Sri Lankës nga persona të armatosur në vitin 2009.

Po ashtu u deshën vite që lojtarët ndërkombëtarë të ktheheshin dhe turneu në vazhdim përfshin një operacion të madh sigurie.

Gjykata e Lartë e Lahore urdhëroi policinë të shtyjë arrestimin e Khan deri të enjten, në pritje të rezultatit të një seance dëgjimore mbi legjitimitetin e urdhrit të arrestit.

Oficerët dhe rojet paraushtarake u panë duke u larguar nga periferia e Zaman Park ku ndodhet shtëpia, me disa që thuhet se braktisnin postblloqe dhe pika kontrolli.

Khan pastaj doli jashtë dhe foli me mbështetësit e tij.

70-vjeçari, i cili u rrëzua nga posti i kryeministrit prillin e kaluar, po përballet me akuzat se ka shitur dhurata shtetërore gjatë kohës që ishte në detyrë. Por sipas tij rasti është i motivuar politikisht.

Sakaq, rrugët jashtë shtëpisë së Khan ishin të mbushura me mbeturina dhe barrikada që digjen.

Mbështetësit e tij u mblodhën në një nga rrugët – një autostradë kryesore në Lahore – dhe brohoritën emrin e tij.

Disa orë më parë, oficerët me pajisje për protesta kishin hedhur gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë qindra mbështetës në kompleks. Disa nga turma hodhën gurë dhe tulla.

Policia më pas u përpoq të futej me forcë në kompleks për të arrestuar Khan për dështimin e paraqitjes në një gjykatë në Islamabad.

Ai më herët ka thënë se nuk kishte asnjë arsye që policia ta arrestonte pasi ai kishte marrë garancinë mbrojtëse deri të shtunën. Dhe se qeveria ishte e vendosur për ta vënë atë pas hekurave pas përpjekjeve të mëparshme të dështuara.

Sipas tij, autoritetet po përpiqeshin ta arrestonin për të ndaluar partinë e tij të merrte pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Por “pavarësisht nëse jam në burg apo jo, ata nuk do të mund të ndalojnë fitoren e partisë sime”, ka theksuar ai.

Që kur u rrëzua nga detyra, Khan ka qenë një kritik i zëshëm i qeverisë dhe ushtrisë së vendit. Ai ka vizituar vendin duke mbajtur fjalime të zjarrta duke bërë thirrje për zgjedhjet që do të mbahen më vonë këtë vit.

Ai ka vazhduar presionin mbi pasardhësin e tij Shehbaz Sharif me demonstrata dhe e fajëson atë për një atentat në nëntor, ku u plagos në këmbë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore