Lajme

Osmani për situatën me zjarret: Qytetarët të tregohen të përgjegjshëm


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,  përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të përmbahen nga veprime të cila mund të shkaktojnë zjarre.

Sipas Osmanit, “të gjithë duhet të mobilizohen që ta ruajnë mjedisin dhe jetët e njerëzve”.

“Në kohën kur temperaturat ekstreme kanë përfshirë vendin tonë, rreziku nga zjarret është rritur tej mase. Prej disa ditësh në disa rajone të Kosovës situata është rënduar nga zjarret dhe ky rrezik ende nuk ka kaluar”, ka shkruar Osmani.

“Institucionet e vendit me kapacitet të plotë po përpiqen për zvogëlimin e pasojave nga zjarret, por kjo përpjekje domosdoshmërisht kërkon edhe mbështetjen e qytetarëve. Zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i, po bëjnë të pamundurën, por të gjithë kemi përgjegjësinë që ta rrisim kujdesin për ta ulur rrezikun nga shtrirja e zjarreve”.

Sipas saj, “djegia e hamulloreve konsiderohet ndër shkaktarët kryesorë të zjarreve, ndaj qytetarët duhet të përmbahen nga veprime të tilla, të cilat shkaktojnë rrezik të përgjithshëm”.

Ajo ka shtuar se “Kosova është shtëpia jonë, ndaj të gjithë duhet të mobilizohemi ta ruajmë mjedisin dhe t’i ruajmë jetët e njerëzve tanë”.

Të mërkurën paradite, Policia e Kosovës ka njoftuar se një person ka humbur jetën në fshatin Novosellë të Malishevës, ndërsa si pasojë e vdekjes dyshohet të jetë tymi, pasi që viktima kishte shkuar tek stalla e cila ishte përfshirë nga zjarri.

“Fsh. Novosellë, Malishevë 03.08.2021 – 01:20. Viktima mashkull kosovar është sjellë pa shenja jete në QKMF. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Si pasojë e kësaj vdekje dyshohet të jetë ajri i tymosur pasi që viktima kishte shkuar tek stalla e cila ishte përfshirë nga zjarri”, thuhej nw njoftimin e policisë.

Sipas organeve të rendit, ky rast ka ndodhur ditën e martë dhe kjo është viktima e parë si pasojë e zjarrit me të cilin është duke u ballafaquar ditëve të fundit Kosova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore