Lajme

Kosovë: Shënohet viktima e parë nga zjarret


Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person ka humbur jetën në fshatin Novosellë të Malishevës, ndërsa si pasojë e vdekjes dyshohet të jetë tymi, pasi që viktima kishte shkuar tek stalla e cila ishte përfshirë nga zjarri.

“Fsh. Novosellë, Malishevë 03.08.2021 – 01:20. Viktima mashkull kosovar është sjellë pa shenja jete në QKMF. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Si pasojë e kësaj vdekje dyshohet të jetë ajri i tymosur pasi që viktima kishte shkuar tek stalla e cila ishte përfshirë nga zjarri”, njofton Policia e Kosovës.

Policia raporton se ky rast ka ndodhur ditën e martë dhe kjo është viktima e parë si pasojë e zjarrit me të cilin është duke u ballafaquar ditëve të fundit Kosova.

Siç njofton Policia, viktima është gjetur pa shenja jete nga familjarët e tij rreth një orë më vonë.

“Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Malishevë, rreth orës 02:30 të datës 03.08.2021 është njoftuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare (QKMF), se një person i gjinisë mashkullore (viti i lindjes 1957), është sjellë pa shenja jete nga familjarët në këtë institucion shëndetësor”.

Në njoftim thuhet se pas konsultimeve me prokurorin e shtetit rasti është kualifikuar si ‘hetim i vdekjes’, për hetim të rastit janë angazhuar hetuesit e Sektorit të Hetimeve Rajonale Gjakovë. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Po ashtu, Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën ka arrestuar një person 67 vjeç, në fshatin Gojbulë në Komunën e Vushtrrisë, për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm- zjarrvënie.

“Zyrtarët policorë gjatë veprimeve hetimore kanë arritur të identifikojnë pronarin i cili në këtë rast ka vet shkaktuar ndezjen e hamullores në arën e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e hetimeve dhe zjarrfikësit të cilët kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin”, thuhet në një komunikatë për media të Policisë së Kosovës.

Pjesëtarët e njësive të zjarrit, policisë dhe KFOR-it , pandërprerë janë në terren dhe marrin pjesë në lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.

Gjithashtu policia ka shtuar se vazhdimisht janë në detyrë edhe në lokalitete në të cilët janë shuar zjarret apo janë nën kontroll për veprime parandaluese edhe në parandalimin e rasteve te reja.

Komunat të cilat janë përfshirë nga zjarri janë disa fshatra në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë.

Po ashtu, vatra të reja të zjarrit  janë identifikuar edhe në komunën e Gjakovës, Suharekës, dhe Pejës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore