Euro 2020

Historiku i Evropianëve, EURO 1968


I treti nga 15 në total, EURO 1968 kishte dhënë një ide të qartë të kompeticionit madhor që priste më të mirat e futbollit evropian.

Albanian Post sjell historinë e secilit Evropian të zhvilluar që nga viti 1960, deri në fillimin e atij të vitit 2020, që zhvillohet në 2021-n.

Më herët, pamë se si organizua një EURO për herë të parë, si u konsolidua në herën e dytë dhe cilët qenë fituesit e mëdhenj.

Edhe 1968-ta shihte katër skuadra finaliste, por përsëri, formati i arritjes deri te katër më të mirat ndryshoi.

Çfarë ndryshimi ndodhi?

Me rritjen e numrit të shteteve pjesëmarrëse në UEFA, rritej edhe vështirësia për kualifikimin në një Evropian.

Plot 31 shtete garonin për katër vende në Evropianin “e madh”.

Në këtë mënyrë, u vendos që faza kualifikuese të zhvendosej në dy faza.

Cilat ishin ato?

Ishte faza e grupeve dhe faza çerekfinale.

Faza e grupeve ndahej në tetë sosh. Shtatë grupe kishin nga katër skuadra dhe vetëm një grup kishte tre.

Ishte pikërisht Shqipëria, skuadra që bënte pjesë në grupin me tri skuadra, së bashku me Gjermaninë Perëndimore dhe me Jugosllavinë.

Nga kjo fazë dilnin tetë fitues të grupeve, që do të përballeshin mes tyre në fazën çerekfinale për të caktuar katër finalistët.

Grupet filluan në vitin 1966 dhe mbaruan në fillim të vitit 1968.

Kush i fitoi grupet?

Spanja, duke eliminuar Çekosllovakinë, Irlandën dhe Turqinë.

Bullgaria, duke eliminuar Portugalinë, Suedinë, Norvegjinë.

Bashkimi Sovjetik, duke eliminuar Greqinë, Austrinë dhe Finlandën.

Jugosllavia, duke eliminuar Gjermaninë Veriore dhe Shqipërinë.

Hungaria, duke eliminuar Gjermaninë Lindore, Holandën dhe Danimarkën.

Italia, duke eliminuar Rumaninë, Zvicrën dhe Qipron.

Franca, duke eliminuar Belgjikën, Poloninë dhe Luksemburgun.

Anglia, duke eliminuar Skocinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut.

Ndeshjet çerekfinale

Bullgari – Itali

Hungari – Bashkimi Sovjetik

Angli – Spanjë

Francë – Jugosllavi

Si në dy herët e para, këto ndeshje luheshin në formatin vajtje-ardhje.

Katër fituesit do të ishin pjesëmarrës në EURO 1968, e cila do të organizohej nga njëra prej katër finalisteve.

Kush u kualifikua për në fazën finale?

Italia, e cila pas humbjes 3-2 në Bullgari, fitoi 2-0 në Itali për të vazhduar më tej.

Bashkimi Sovjetik, të cilët bën një superrikthim, nga humbja 2-0 në ndeshjen e parë, fituan 3-0 në të dytën.

Anglia, pa shumë vështirësi, eliminoi Spanjën, duke fituar të dyja ndeshjet, 1-0 në Angli dhe 2-1 në Spanjë.

Franca u shkatërrua nga Jugosllavia, e cila fitoi me rezultat të përgjithshëm 6-2.

Organizimin e EURO 1968-ës e mori përsipër Italia, e cila ishte edhe debutuese në një Evropian, ashtu sikurse Anglia.

EURO 1968

Formati ishte i njëjtë. Gjysmëfinalet, ndeshja për vendin e tretë dhe finalja.

Roma, Napoli dhe Firenze ishin vendet, të cilat organizonin ndeshjet e këtij Evropiani.

Në gjysmëfinale përballeshin:

Italia – Bashkimi Sovjetik

Në fakt, kjo ndeshje ishte shumë e veçantë.

Para Evropianit, u vendos se, nëse gjysmëfinalet përfundonin në barazim, ndeshja vendosej nga “hedhja e monedhës”.

Kështu ndodhi në ndeshjen Itali – Bashkimi Sovjetik.

“Koka” apo “Bishti” do të vendoste finalistin e EURO 1968.

Historia e hedhjes së monedhës, kush e fitoi?

Ndeshja u zhvillua në kushte të këqija atmosferike dhe krijimi i mundësive për gol ishte shumë i vështirë.

Takimi përfundoi 0-0, dhe një monedhë do të përcaktonte fituesin.

Dy kapitenët futeshin bashkë në dhomat e zhveshjes dhe nën përcjelljen e një kamere, caktohej fituesi.

Duke festuar, nga dhomat e zhveshjes doli kapiteni i Italisë, Giacinto Fachetti.

“Shkova me kapitenin rus”, tha ai pas ndeshjes, “shkuam bashkë në dhomat e zhveshjes, gjyqtari nxori një monedhë, unë zgjodha ‘bishtin’, dhe ne fituam”.

Në këtë mënyrë, Italia u bë finalisti i parë i EURO 1968.

Jugosllavi – Angli, kush iu bashkua “bishtit”?

Anglezët vinin në këtë Evropian si kampion bote, pas triumfit në vitin 1966.

Nga të gjithë, tre luanët konsideroheshin favoritë, por fati u ktheu shpinën albionëve.

Në një ndeshje që ata dominuan në tërësi, u mundën nga një goditje e vetme në minutat e “vdekjes”.

Kur u duk se edhe kjo ndeshje po i drejtohej monedhës, në skenë u ngjit Dzajic.

Futbollisti jugosllav, në minutën e 86-të shënoi për 1-0, duke drejtuar Jugosllavinë edhe te një finale tjetër, pas asaj të EURO 1960.

Finalja përfundoi 2-1 në favor të Sovjetëve.

Dhe, ky ishte rasti i Jugosllavisë për të shuar dhimbjen e tetë viteve më parë.

Ndërkohë, Anglia luante në ndeshjen për vendin e tretë, përballë Bashkimit Sovjetik.

Ndeshja për vendin e tretë

Gjithë kapacitetin e skuadrës kampione bote, Anglia e shfaqi përballë Sovjetëve.

Pa shumë vështirësi, një gol në secilën pjesë ishte i mjaftueshëm për tre luanët.

Ishte legjenda e Manchester United, Bobby Charlton, i cili në minutën e 39-të shënoi golin e epërsisë.

Dominimi i Anglisë vazhdoi edhe në pjesën e dytë, me Hurst që shënoi golin e 2-0, që ishte edhe rezultati përfundimtar.

Nga dy finale radhazi, Bashkimi Sovjetik tani përfundoi në vendin e katërt.

Finalja e parë

Më 8 gusht, “Stadio Olimpico” në Romë priste finalen e madhe.

Në finale, nëse ndeshja përfundonte në barazim, ajo nuk vendosej nga një monedhë, por luhej përsëri.

Dhe, pikërisht kështu ndodhi.

Ndeshja mes Italisë dhe Jugosllavisë përfundoi me rezultat 1-1.

Golin e Dzajic në pjesën e parë e bëri të pavlefshëm Domeghini, i cili dhjetë minuta para fundit i barazoi shifrat.

Finalja e dytë

Vetëm dy ditë më pas, do të luhej finalja përsëri.

Në të njëjtin vend, në të njëjtin orar, të njëjtat skuadra zbrisnin në fushë për të njëjtin qëllim.

Këtë radhë, Italia zgjidhi gjithçka shumë shpejt.

Riva dhe Anastasi shënuan dy herë në pjesën e parë. Mbrojtja italiane ishte shumë e fortë për Jugosllavinë, që nuk arriti të reagonte.

Kampion Evrope, trofeu “Henry Delaunay” u ngrit në qiellin e Romës, nga duart e italianëve.

Një EURO e monedhave, fatit dhe ripërsëritjes, vuri themelin e një kompeticioni që do të pritej dhe vazhdon të pritet me padurim nga të gjithë.

1968, një Evropian që dhuroi përsëritje, do të mbetet në histori si i papërsëritshëm.

Së shpejti, EURO 1972…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore