Lajme

Haradinaj: Me Radoiçiçin jam takuar kur negocionim për bashkëqeverisje me Listën Serbe


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

“Amerika së pari dëshiron t’i bindë të gjithë në rajon se qeverisja e mirë, shteti ligjor, lufta kundër korrupsionit janë vlera”, ka deklaruar Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për sanksionet që SHBA ka vënë ndaj disa personave në Kosovë, duke i futur ata në listë të zezë.

Duke shtuar se luftimi i krimit të organizuar në veri të Kosovës dhe personave që merren me këto vepra, është shumë i rëndësishëm për të parandaluar destabilizimin e Ballkanit.

“Secili do të vlerësohet në bazë të këtyre qëllimeve ose angazhimit në këto vlera, por po ashtu askush nuk do të lejohet që të nxjerrë jashtë kontrollit shtetin ligjor, qeverisjen e mirë ose të krijojë pasiguri. Ne kemi parë tentativa të vazhdueshme të krijimit të pasigurisë në Ballkan”.

“Me këtë rast SHBA po tregohet se është e vendosur pra ta luftojë korrupsionin, krimin nacional e transnacional, por edhe mos të lejojë destabilizimin e rajonit” tha Haradinaj.

Haradinaj në Klan Kosova ka folur edhe për takimin me Milan Rodoiçiçin, i cili është në listën e personave ndaj të cilëve u vunë sanksione.

Haradinaj tha se me të ishte takuar në kontekst të arritjes së një marrëveshjeje për bashkëqeverisje me Listën Serbe dhe se që nga viti 2018 nuk ka pasur kontakt me të.

“Është e vërtetë që jam takuar më Radoiçiçin, është e dokumentuar, e kam takuar në kohën e negocimit për marrëveshje të qeverisjes me Listën Serbe dhe në një kohë të bashkëqeverisjes me Listën Serbe”.

“Dderisa u vendos taksa, e pastaj taksa na largoi me Listën Serbe për fat të keq, pasi ne nuk kemi pasur interesim me i prish marrëdhëniet me Listën Serbe, kuptohet pasuan edhe veprimet e tjera si Trepça dhe kulmoi me ushtrinë dhe na i përkeqësoi mjaftueshëm marrëdhëniet me Listën Serbe dhe me të gjithë, pastaj pasoi edhe një aktakuzë me sa e di unë për zotin Radoiçiç, kështu i bie që nga 2018 s’kam pasur komunikim me zotin Radoiçiç” tha Haradinaj.

Haradinaj: VV-ja duhet ta kuptojë se kur takohet vëllai i Shkëlzenit e Luanit me serbë, nuk humbin shqiptarët

Haradinaj tutje ka shtuar se në kohën kur është takuar me Radoiçiç nuk i ka pasur informatat që i ka tani.

“Nuk kam pasur informata kush është kush, nuk i kam njohur aq mirë, informatat që i kemi ne sot dallojnë nga ato që i kemi pasur para vrasjes së zotit Ivanoviç, ose para krijimit të qeverisë, se nuk ka qenë kështu, nuk kemi pasur kualifikime ligjore për askënd prej tyre, që i bije se nuk duhet t’i paragjykojmë edhe sot”.

“Edhe sot mund të ndodhë që dikë që e takojmë, jo vetëm serbët edhe shqiptarët që i takojmë unë ose dikush mund të rezultojë, pra nuk paragjykojmë ku përfundon dikush, ne kemi një mision që na e ka dhënë kushtetuta dhe misioni ynë është tu japim serbëve të Kosovës besimin që t’i besojnë Prishtinës, udhëheqësve të Kosovës dhe të mos i paragjykojnë kosovarët, nëse unë ose UÇK-ja ka luftuar dje sot dëshirojmë t’i integrojmë ata, jo tu ndodhë atyre ajo që ka ndodhur neve në kohën e Millosheviçit” ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka deklaruar se Vetëvendosje duhet të kuptojë se kur vëllai i Shkëlzenit e Luanit takohet me serbë nuk humbin shqiptarët.

“Kjo që thotë Vetëvendosje dhe kolegët e mi në Vetëvendosje, duhet ta kuptojnë ata që kur takohet vëllai i Shkëlzenit e Luanit me serbë nuk humbin shqiptarët, ndërsa kur takohen ata që e kanë nostalgji ndoshta Millosheviçin ajo dallon, aty nuk mund të flas”, tha Haradinaj.

Tutje, Haradinaj tha do t’i vazhdoj takimet me qëllim që të punojnë në forcimin e shtetit ligjor.

“Takimet publike, po i them Vetëvendosjes, takimet që i kam bërë dhe që do i bëjë, unë do të takohem me serbët e Kosovës, pa paragjykim kush është sot dhe ku do të përfundojnë njëherë, më qëllim që të punojmë për forcimin e shtetit ligjor dhe forcimin e Kosovës, thash që jam takuar me zotin Radoiçiç, zotin Veselinoviç nuk e kam takuar asnjëherë, as vëllain e tij, as këta tjerët që po përmenden në listë, kam takuar zotin Radoiçiç, zotin Rakiç, Sllavko Simiç, këta që janë në parlament sot”.

“I kam takuar dhe kemi zhvilluar mjaft biseda politike, qëllimi im ka qenë që serbët e Kosovës t’i besojnë Kosovës edhe sot i bëjë thirrje serbeve të Kosovës t’i besojnë Kosovës. Qëllimi im është t’i bindi serbët e Kosovës dhe të veriut se fëmija i tyre mund të shërbejë në ushtrinë e Kosovës, në FSK dhe jo ta luftojnë atë dhe jo të frikësohen nga ushtria e Kosovës”.

“Qëllimi im është t’i bindi serbët e Kosovës që më mirë është te jenë me Kosovën, me perëndimin e me Amerikën, sesa me Rusinë, sidomos për ata që jetojnë në Kosovë”.

“Në ketë agjendë të vazhdueshme punoj pa paragjykime, pa komplekse të inferioritetit dhe kemi edhe suksese në ketë drejtim të kësaj pune, që i bije pra çdoherë secilin duhet ta vlerësojmë në punë, i njëjti që është ulur me zotin Radoiçiç në këtë rast, i njëjti i ka vu taksën Serbisë, pra i ka vu kufirin ekonomik edhe e ka dënu Serbinë”.

“Pra nuk jam ulur për biznes me të, as për interesa korruptive por jam ulur për shtetin tim. Biznes me të nuk kam bërë asnjëherë në jetën time, jo vetëm me të por me asnjë serbë në Kosovë”, tha Haradinaj.

Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radojçiç

Sipas njoftimit të Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Veselinoviç, identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Sipas SHBA-së, grupi i Vesellinoviçit është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

Bazuar në këtë njoftim, grupi gjithashtu ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019.

Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Ky sanksionim është mirëpritur edhe Bashkimi Evropian.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte thënë se vendosja e sanksioneve ndaj disa serbëve nga Kosova, është hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.

“Shkatërrimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirëson sundimin e ligjit në mbarë rajonin. BE-ja është plotësisht e angazhuar në arritjen e këtij synimi të përbashkët”, kishte thënë Borrell.

Madje, Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ishte shprehur se ky vendim për të vendosur sanksione kundër individëve të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion është në interes të të gjithë komuniteteve të Kosovë.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore