Lajme

“Mesazhi” i SHBA-ve për Aleksandër Vuçiç


SHBA me sanksione ndaj grupit të Zvonko Veselinoviqit për krim të organizuar në veri të Kosovës

Të mërkurën e tetë dhjetorit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kanë futur në listë të zezë disa serbë nga Kosova të dyshuar për krim të organizuar dhe korrupsion. Ky sanksionim, nga njohësit e çështjeve të sigurisë është konsideruar si mesazh kundrejt Serbisë dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Madje, sipas tyre, SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe NATO, janë të shqetësuara për Ballkanin sepse siç theksohet është rritur aktiviteti rus e kinez, andaj SHBA nuk do të lejojë që Serbia e Rusia ta destabilizojnë Ballkanin.

Avni Islami – njohës i çështjeve të sigurisë, për Albanian Post, ka thënë se me ardhjen e Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, jo vetëm Kosova por edhe Ballkani “është në fokus të Amerikës”.

Kjo për shkak se siç thotë Islami, Rusia dhe Kina “kanë punuar shumë me vendet si Serbia dhe Republika Srpska”.

“Sanksionimi i një pjese të krimit të organizuar në veriun e Kosovës është një indikacion i mirë dhe përkrahje e institucioneve të Kosovës të cilat kanë ndërmarrë një varg masash në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar në shkallë të vendit, duke mos e përjashtuar edhe veriun e Kosovës”.

Njohësi i sigurisë, Avni Islami

“Mesazhi ishte për qeverinë e Kosovës, në përkrahje të saj dhe mesazhi tjetër është i qartë për Vuçiçin”.

“Por kur është fjala te ai, duket se shtetin serb e marrin me të mirë në mënyrë që të ruhet balancimi dhe të mos të kalojë në ekstrem kundër perëndimit dhe tjerëve për shkak se dihet se Serbia e ka përkrahjen e Rusisë dhe këtu është edhe qëllimi, që Rusisë të mos i lihet dominimi në Ballkan”.

Sipas tij, asnjë temë nuk është mikrotemë.

“Secila temë, secili fenomen e secila dukuri për amerikanët është e rëndësishme, por që ata nuk bëjnë bujë të madhe, i kryejnë punët në heshtje dhe pasojat e saj dihen në kohën kur ata duan”.

Ndërkaq, sipas Drizan Shalës – njohës i çështjeve të sigurisë, kjo i jep dy mesazhe të cilat drejtohen kah shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në anën tjetër është tregues që institucionet vendore do të duhej të kishin marrë vendime më të hershme për t’i eliminuar këto grupe kriminale.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala

“SHBA-ja ka një metodë interesante për të treguar interesin e saj strategjik në një vend apo rajon duke përdorur fuqinë e saj politike/diplomatike përmes publikimit të personave apo grupeve të caktuara si cenim të sigurisë së SHBA-së”, tha Shala për AP.

Ndërkaq, opinionisti Gazmir Raci, ka theksuar se autoritetet e Kosovës dhe Serbisë “duhet që t’i fusin në lista të zeza këta persona dhe të dërgohen para drejtësisë në momentin kur verifikohet se pasuria e tyre është e paligjshme, e pajustifikueshme dhe e krijuar në kuadër të krimit të organizuar rajonal’.

“Qeverisja e re e presidentit Biden ka premtuar se do të ketë një qasje rigoroze ndaj të gjithë atyre që cenojnë sigurinë rajonale në Ballkanin Perëndimor. Ky rol tashmë konkret duhet të mirëpritet dhe duhet që shtetet respektive të marrin vendimet e përcaktuara”, është shprehur ai.

Sipas tij, përmes këtij vendimi shihet rikthimi i SHBA-ve kah Kosova.

Gazmir Raci – opinionist

“Është një rikthim me intensitet më të lartë, kjo për faktin se Biden dhe Partia Demokratike e njohin thellësisht Ballkanin Perëndimor dhe zhvillimet politike në këtë pjesë të Evropës Juglindore”.

Ndërkohë, sipas njoftimit të Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Veselinoviç, identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radojçiç

Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Sipas SHBA-së, grupi i Vesellinoviçit është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

Bazuar në këtë njoftim, grupi gjithashtu ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019.

Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Ky sanksionim është mirëpritur edhe Bashkimi Evropian.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se vendosja e sanksioneve ndaj disa serbëve nga Kosova, është hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell

“Shkatërrimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirëson sundimin e ligjit në mbarë rajonin. BE-ja është plotësisht e angazhuar në arritjen e këtij synimi të përbashkët”, tha Borrell.

Madje, Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, është shprehur se ky vendim për të vendosur sanksione kundër individëve të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion është në interes të të gjithë komuniteteve të Kosovë.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.

“E mirëpres vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vendosur sanksione kundër individëve të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion. Kjo është në interes të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, shkruan Abbott në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore