Lajme

Haradinaj kërkon nga BE-ja largimin e masave ndëshkuese


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Ditën e Evropës, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian për largimin e masave ndëshkuese të vendosura Kosovës në qershor të vitit të kaluar.

“Në këtë ditë theksohet nevoja për largimin e sanksioneve nga ana e BE-së ndaj Kosovës, për t’i hapur rrugë zhvillimit dhe proceseve integruese evropiane, veçanërisht anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Haradinaj në platformën sociale, Facebook.

Sipas tij Kosova tash e dy dekada është e përkushtuar në synimin e saj për të qenë pjesë e familjes evropiane.

“Qytetarët e Kosovës e meritojnë integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike! Ky është një synim për të cilin jemi përcaktuar si shtet, të orientuar për të kontribuuar në prosperitetin, paqen, sigurinë, dhe drejtësinë e kontinentit tonë, përkrah shteteve tjera të Evropës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore