Lajme

Hajdari: Turizmi prioritet kyç i yni – nuk përmend masat që ka ndërmarrë për ta promovuar


Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka marrë pjesë në hapjen e Panairit të Turizmit dhe Sportit të enjten në Prishtinë, në të cilin ka folur për rëndësinë e turizmit.

Ajo konsideron që gjatë qeverisjes së saj në këtë dikaster ka vendosur turizimin si prioritet, mirëpo nuk ka përmendur masat që ka ndërmarrë për të promovuar dhe zhvilluar sektorin e turizmit.

“Unë si ministre duke e ditur që kemi potencial për zhvillimin e sektorit të industrisë kemi vendosur turizmin si prioritet kyç të ministrisë që e drejtoj dhe është shumë me rëndësi që t’iu tregojë që së bashku me shumë akterë të turizmit me një koordinim të plotë ne po i sjellim në pah vlerat tona kulturore, sidomos trashëgiminë kulturore, të sjellim vlerat tona në pah edhe për turizmin malor, rural, por mos t’i harrojmë edhe artizanatet dhe kulturën e vjetër që populli e ka”, tha Hajdari.

Në kuadër të këtij panairi janë prezantuar produkte dhe oferta të ndryshme nga Kosova si dhe vendet e rajonit, duke përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Italisë e po ashtu vendet e tjera.

“Vërtetë si Republikë e Kosovës së bashku me shtetet e rajonit kemi shumëçka për të promovuar në fushën e turizmit, në fushën e trashëgimisë kulturore dhe me potencialet që kemi malore, lumenjtë që ka Shqipëria, Mali i Zi e të tjera”, ka thënë Hajdari.

Panairi “Prishtina 2022”.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, u shpreh se ky panair e vendos Prishtinën në qendër të komunikimit rajonal.

“Ky panair e vë Prishtinën në pozicion ku të gjithë ne në Kosovë synojmë ta kemi në një kryeqytet të rëndësishme të komunikimit rajonal e evropian. Ky panair sivjet po na ndihmon me praninë e bizneseve prej Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, e me një zgjerim të tij sivjet kemi reprezentues edhe prej Italisë”.

I pari i Prishtinës uroi që liberalizimi i vizave të arrihet edhe në Kosovë.

“Vërtetë urojmë që liberalizimi i vizave të bëhet realitet i Kosovës sepse është interes i drejtpërdrejtë i çdo qytetari të Kosovës, jo thjeshtë për arsye turizmi por edhe për mundësinë e shtuar që u krijon lidhjeve të reja mes bizneseve”, tha Rama.

Po ashtu, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, bëri të ditur se aktivitetet sportive që zhvillohen në Kosovë kanë ndikim të drejtpërdrejt në zhvillimin e ekonomisë.

“Organizimi i ngjarjeve vendore dhe ndërkombëtare të sportit për Kosovën ka ndikim edhe benefite multidimensionale të cilat përveç atyre sportive kanë edhe efekte ekonomike duke pasur fokusin e veçantë tek turizmi që sporti ia sjellë vendit tonë”.

“Sporti dhe turizmi lidhen ngushtë njëri me tjetrin pasi përmes aktiviteteve sportive promovojnë edhe turizmin në vendin tonë. Një nga qëllimet e Komitetit Olimpik të Kosovës por edhe federatave sportive në vend janë edhe organizimet e garave të ndryshme ndërkombëtare ku krahas sportit hoteleria do të ishte përfituesi më i madh i këtyre ngjarjeve ndërkombëtare”, tha Krasniqi.

Ndryshe, ky panair do të jetë i hapur deri më datën 6 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore