Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri, i cili kërkoi pezullim të dënimit.
“Gjykata vendosi mospranimin e kërkesës së kërkuesit Saimir Tahiri, për pezullimin e ekzekutimit të vuajtjes së dënimit me burgim, dhënë me vendimin nr. 3 datë 04.02.2022, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
Më 22 prill, ai kërkoi nga Gjykata që të pezullonte ekzekutimin e vendimit për dënimin me burg.
Në kërkesën e drejtuar për këtë Gjykatë, Tahiri deklaroi se vuajtja e menjëhershme e dënimit me burgim mund të sjellë pasoja të rënda për vetë të pandehurin, si dhe për familjen e tij.
Kjo, për shkak të funksionit të tij si ish-ministër mund të “rrezikojë dhe mund të bëhet objekt i personazheve të krimit që ndodhen duke kryer dënimin në IEVP Fier”.
“Nga rekursi bashkëlidhur është e qartë që vendimi nr.03, datë 04.03.2022 i Gjykatës së Posaçme të Apelit është një vendim i marrë në shkelje flagrante të ligjit sa i përket procesit të rregullt ligjor dhe vijimi i ekzekutimit të tij cenon rëndë jo vetëm interesat e të dënuarit Saimir Tahiri, por edhe të drejtësisë”, thuhet në kërkesë.
Apeli i Posaçëm i Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), të premten e 4 shkurtit të këtij viti, dënoi ish-ministrin e Brendshëm, me tre vite e katër muaj burgim, për veprën penale “Shpërdorim të Detyrës”.
Fillimisht, Tahiri u dënua me pesë vite burgim, por, për shkak të gjykimit të shkurtuar, do të vuajë tre vite e katër muaj burg.
Prokuroria e Posaçme SPAK kishte kërkuar 12 vjet burg për Tahirin.
Kjo çështje u zvarrit prej pesë vjetësh në radhët e shumë gjykatave.
Çështja “Tahiri”
Çështja “Tahiri” u regjistrua në GJKKO më 26 nëntor 2021.
Më parë ishte në ngarkim të Gjykatës së Lartë.
Kjo e fundit zbardhi vendimin për çështjen e ish-ministrit, ku u argumentua se ka pasur shkelje proceduriale gjatë gjykimit të tij dhe ish-drejtorit Jaeld Çela.
Gjykata vendosi prishjen e vendimit të datës 26 qershor 2020 të Apelit të GJKKO-së dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me një tjetër trup gjykues.
Apeli i Posaçëm, në vendimin e saj, asokohe tha se janë shkelur dispozitat për paraqitjen e akuzave të reja, e lidhur kjo edhe me mosrespektimin e dispozitave për ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori.
Gjithashtu u vendos rrëzimi i kërkesës së të gjykuarit Jaeld Çela për zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.
Sipas trupës gjykuese, gjyqtarja Albana Boksi ishte në konflikt interesi, pasi ka shqyrtuar çështjen e Taulant Haxhiraj në një procedim të lidhur, duke nënkuptuar kështu se trupa gjykuese kishte në përbërje gjyqtarë që nuk mund të merrnin pjesë në gjykim.
Saimir Tahiri dhe ish-kreu i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, u shpallën fajtorë për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”.
Ish-ministri u dënua me tri vite shërbim prove, ndërsa Jaeld Cela me tre vite e katër muaj burg.
Në nëntor të vitit 2017, Prokuroria e akuzoi Çelën se, në bashkëpunim me Tahirin, ndihmonin bandën e Habilajve për të trafikuar drogë.
Çela u vetëdorëzua në polici në maj të vitit 2020 – pas dy viteve në arrati. Ndërsa akuzohej për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Trafikim i bimëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Gjykata e Krimeve të Rënda rëndoi ndaj Çelës vetëm akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe e dënoi atë me 3.4 vite burgim.
Nga ana tjetër, ish-ministri u dënua vetëm me tre vite shërbim prove nën akuzën e rikualifikuar të “shpërdorimit të detyrës”.
Ndonëse i shpëtoi qelisë, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi ta dërgonte për tri akuza të tjera të rënda, për Tahirin u vendos gjithashtu që, për të paktën disa vite, të qëndronte jashtë jetës politike.
Ky vendim i Prokurorisë u apelua nga Tahiri, i cili e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Felaj, thirrje për rikthim të hetimeve ndaj Strukturave për Mbrojtjen e Votës në PD
-
Kushtetuesja do të shqyrtojë sërish mandatin e Xhaçkës
-
Brenda vitit kantieri i ndërtimit për urën mbi lumin Buna, thotë Rama
-
Balla: Na duhet një politikë e re penale, thirrje drejtësisë të hetojë me paanshmëri ngjarjen e fundit dhe të japë dënim ekzemplar
Lajmet kryesore
-
Ekskluzive: Letra e Francës, Gjermanisë dhe Italisë për Kurtin: Hapat që ndërmore s’mjaftojnë, duhet dërgim në Kushtetuese i draftit të BE-së
-
Kushtetuesja do të shqyrtojë sërish mandatin e Xhaçkës
-
Çfarë është gati të paguajë Xi Jinping për luftën e Putinit?
-
Abdixhiku: Letra e Scholzit, Macronit e Melonit ekspozoi populizmin e Kurtit – dështim spektakolar, dëm historik