Shqipëria

Çështja ‘Tahiri’ – rikthehet në Apelin e Posaçëm


Gjykata e Lartë, të martën e 28 shtatorit ka vendosur të rikthejë edhe një herë për gjykim në Apelin e Posaçëm, çështjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, duke mbështetur kërkesën e palës mbrojtëse.

Këtë e ka bërë të ditur, avokati i tij Maksim Haxhia, në një dalje për mediat.

Nga ana tjetër, gjatë dëgjimit të pretendimit të palëve në seancë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar të rikthejë për shqyrtim në Shkallën e Parë dosjen “Tahiri”. Kjo e fundit u hedh poshtë nga Gjykata.

Gjithashtu Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e e ish-drejtorit të Policisë Vlorë, Jaeld Çelës, për zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.

Tashmë Apeli do të japë vendimin përfndimtar për ish-ministrin Tahiri. Kjo çështje do të shqyrtohet nga një tjetër trup gjykues.

Seanca në Gjykatën e Lartë

Gjykata e Lartë në Shqipëri ka zhvilluar seancën ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Trupi gjykues, përbëhej nga kryetari Ilir Panda dhe dy anëtarët Sokol Sadushi dhe Ervin Pupe. Ata kanë vazhduar procesin gjyqësor ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri dhe ish-kreut të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela u shpallën fajtorë për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”.

Ish-ministri u dënua me tri vite shërbim prove, ndërsa Jaeld Cela me tre vite e katër muaj burg.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri

Në nëntor të vitit 2017, prokuroria e akuzoi Çelën se, në bashkëpunim me Tahirin, ndihmonin bandën e Habilajve për të trafikuar drogë.

Çela u vetëdorëzua në polici në maj të vitit 2020 – pas dy viteve në arrati. Ndërsa akuzohej për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Trafikim i bimëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Gjykata e Krimeve të Rënda rëndoi ndaj Çelës vetëm akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe e dënoi atë me 3.4 vite burgim.

Nga ana tjetër, ish-ministri u dënua vetëm me 3 vite shërbim prove nën akuzën e rikualifikuar të “shpërdorimit të detyrës”.

Ndonëse i shpëtoi qelisë, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi ta dërgonte për tri akuza të tjera të rënda, për Tahirin u vendos gjithashtu që, për të paktën disa vite, të qëndronte jashtë jetës politike.

Ky vendim i Prokurorisë u apelua nga Tahiri, i cili e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore