Shqipëria

GJKKO e lë në burg, avokati i Hekuran Markut thotë se do e ankimojnë vendimin


Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në burg ish-truprojën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në një prononcim për mediat, avokati i Hekuran Markut, tha se vendimi është i padrejtë dhe do ta ankimojnë atë.

“Edhe gjatë seancave që do të zhvillohen do të kundërshtojmë. Do të tregojmë që Marku nuk ka lidhje me veprat penale për të cilën është marrë i pandehur. Me Bregasin njihet gjatë fushatës elektorale”.

Avokati shtoi se “njohja e tij përfundon vetëm në kuadër të fushatës elektorale të vitit 2015. Në 2013-ën ka filluar punë në gardë dhe në kuadër të fushatës elektorale ka rastisur që është njohur me Elion Bregasin. Atje është njohur me të dhe sipas akteve”.

Marku u ekstradua drejt Shqipërisë nga Gjermania gjatë ditës djeshme.

Lajmin e bëri të ditur Policia e Shtetit, përmes një njoftimi zyrtar në median sociale Facebook.

“Falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët gjermanë, u bë e mundur kapja në Gjermani dhe ekstradimi drejt Shqipërisë, i shtetasit H. M., 47 vjeç”, shkruhet fillimisht në deklaratë.

Dy ish-truproja të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri do të arrestoheshin jashtë vendit pasi ishin shpallur në kërkim.

Hekuran Marku u arrestua në Gjermani ndërsa Paul Deda alias Agustin Deda do të ndalohej në Francë.

Marku dhe Deda akuzohen se gjatë kohës që kanë shërbyer si truproja të ministrit Tahiri kanë trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.

Përfshirja e tyre në trafikun e drogës ka dalë nga dëshmia e katër të penduarve të drejtësisë të cilët kanë rrëfyer në Bari për rrjetin e trafikut nga Shqipëria drejt Italisë.

Operacioni Shpirti

Mëngjesin e ditës së premte më 2 korrik, do të finalizohej me sukses operacioni ndërkombëtar i koduar “Shpirti”.

Ky operacion u arrit falë bashkëpunimit të Prokurorisë së Posaçme së Shqipërisë (SPAK) dhe Antimafias italiane.

Në vijim, do të bëhej e mundur kapja e 28 personave mes tyre dhe zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar.

Më herët, qenë arrestuar 10 persona të tjerë. Në total ishin 38-urdhra arresti të lëshuara nga autoritetet.

Gjatë një takimi online mes kreut të SPAK, Arben Kraja dhe kreut të Prokurorisë Kombëtarë të AntiMafias dhe AntiTerrorizmit në Itali, Federico Cafiero De Raho, do të bëhej me dije se janë sekuestruar pasuri të luajtshme dhe paluajshtme.

Si dhe aktivitete tregtare me vlerë miliona euro.

Si nisi ky operacion?

Faktet e diskutuara në hetimin e titulluar “Kulmi” nga DIA Italiane dhe policia shqiptare, datonin në vitet 2017-2018.

Hetuesit dokumentuan se Puglia ishte baza kryesore logjistike e organizatave kriminale shqiptare për shitjen e drogës në të gjithë territorin italian.

Gjatë dy viteve të hetimeve, më shumë se tre tonë e gjysmë drogë me vlerë mbi 40 milionë euro u sekuestruan për një total prej rreth 7 milionë dozash.

Nga 16 të dënuarit, 4 janë autorë italianë. 12 janë trafikantë shqiptarë, për të cilët gjykatësi ka urdhëruar dëbimin e tyre.

Hetimi i një viti më parë çoi në 37 arrestime të kryera midis të dy vendeve dhe sekuestrime të pasurive me vlerë 4 milionë euro, përfshirë një fabrikë kafeje në Vlorë.

Ai gjithashtu kishte konstatuar bashkëpunimin e një karabinieri, Giuliano Pasquale, tashmë i dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg.

Akuzat që rëndonin mbi të ishin ndihma e trafikantëve të drogës për të prodhuar dokumente të rreme, duke i informuar gjithashtu për hetimet e vazhdueshme kundër tyre.

Kush janë të arrestuarit?

Operacioni i bashkërenduar ndërkombëtar do të kurorëzohej me arrestimin e prokurorit të Vlorës, Maksim Sota.

Në vijim të arrestimeve u bë ndalimi i Ilirjan Ballës, shefi i sektorit kundër trafiqeve. Këto dy zyrtarë gjenden aktualisht në ‘arrest shtëpie’.

Gjithashtu u arrestua Saimir Kurti, drejtor i zyrës së punës në Kavajës, si dhe Festim Lelaj, ish-oficer policie.

Mes tyre gjendeshin pikërisht edhe dy ish-shoqëruesit e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Këta të fundit në vitin 2016, sipas SPAK, kanë garantuar nga Shqipëria, jo vetëm nga ana tokësore, por dhe detare, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s të kryhej me siguri të plotë.

Çfarë vendosi GJKKO?

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 24 të akuzuarit.

Ndërsa për prokurorin Maksim Sota dhe tre të tjerë, arrest shtëpie.

Në dosjen e publikuar nga SPAK, shkruhet se dëshmitarë të ndryshëm kanë ndihmuar në zbulimin e këtij grupi kriminal.

Në dosje përfshihen përgjimet e grupeve kriminale dhe dëshmitë e të penduarve.

Një nga këto të fundit, Donjol Drolli, ka dëshmuar se prokurori, Maksim Sota, kishte dijeni që Ilirjan Ducellari ishte i përfshirë në trafik droge dhe pavarësisht kësaj ai ka qëndruar në banesën e siguruar nga ai.

Kundër prokurorit Sota, ka folur edhe një tjetër i penduar i drejtësisë, Mariglen Shusha.

Hetimet janë zhvilluar nga muaji maj i vitit 2019 deri në janar të vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore