Lajme

“Gjithqysh” do ketë zhvillime pozitive, thotë Kurti në Ohër


Albin Kurti

“Gjithqysh” është përgjigjur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur është pyetur nga gazetarët nëse pret zhvillime pozitive nga takimi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në Ohër të Maqedonisë.

Kurti nuk ka dashur të flas më shumë, duke thënë se “do të jap intervistë pas takimit”, i cili pritet të mbahet pasi fillimisht të realizojë një me shefin për politikë të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak.

Megjithatë ai ka bërë të ditur se nuk ka tekst të përfunduar për planin e zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel, prandaj do të ketë bisedime për këtë çështje.

“Do të kemi bisedime për planin e zbatimit sepse nuk ka tekst të përfunduar. Përderisa nuk ka tekst të përfunduar, nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve nuk mund të ketë marrëveshje”.

“Unë jam këtu për dialog parimor, të hapur, serioz që duhet të rezultojë në marrëveshje, e marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar dhe të dakorduar. Nuk kam ardhur për bisedime për bisedime, por për bisedime për marrëveshje”, ka shtuar ai.

Rrugët e qytetit të Ohrit nga mëngjesi i hershëm i 18 marsit janë zbrazur nga makinat civile për shkak të perimetrit të sigurisë të vendosur disa kilometra larg hotelit “Inex Olgica” ku do të mbahet takimi i nivelit të lartë në mes të kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Qindra policë në pothuajse gjithë qytetin janë vendosur si patrulla të rregullta nga hyrja e qytetit e deri tek porta e jashtme e hotelit ku nga ora 10:00 do të vijnë pos Kurtit e Vuçiç-it, edhe dy përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm për dialogun Miroslav Lajcak.

Pos tyre, në event do të jetë edhe zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit, Gabriel Escobar.

Agjenda zyrtare

Pas ardhjes së liderëve në orën 10:00, në orën 10:30 fillojnë takimet e Borrell e Lajcak me liderët individualisht.

Nuk është dhënë njoftimi se me cilin nga liderët do të fillojnë dyshja nga BE.

Këto takime nevojiten për konkretizim të pikave që më pas shërbejnë si hartë në takimin trepalësh mes dy diplomatëve të BE-së dhe Kurtit e Vuçiç-it.

Takimet paraprake janë praktikë e vendosur nga ndërmjetësuesja e parë, paraardhësja e Borrellit, baronesha Catherine Ashton.

Këtu u tregohet liderëve se kush do flas i pari dhe kush i dyti. Në cilat anë do të ulën, sa minuta kanë për fjalën hyrëse dhe për çka konkretisht do të flasin.

Liderët në këto takime tregojnë gjithashtu pikat e tyre konkrete dhe më pas arrihet pajtim se çka duhet të flitet e çka jo. E gjitha bëhet që të mos krijohen befasi në takim, por secili paraprakisht ta dijë rolin e vetë.

Më pas fillon takimi trilateral.

Për shkak të semantikës së përdorur dhe ambiguitetit në deklarata, pak mund të kuptohet se cilat janë qëndrimet e dy palëve para takimit.

Megjithatë, deklarimet e ndërkombëtarëve, siç ishte ai i 17 shkurtit nga Escobar, pas takimeve të zhvilluara në Beograd dhe Prishtinë, kanë dhënë nota optimiste për pajtim.

Para takimit me Vuçiç-in, Kurti takohet me Osmanin e Ahmetin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore