Lajme

Para takimit me Vuçiç-in, Kurti takohet me Osmanin e Ahmetin


Pak qaste para takimit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në hollin e hotelit ku do mbahet takimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut mes tij dhe presidentit serb Aleksander Vuçiç, është takuar me ministrin e punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin dhe kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin.

Kurti ka qenë i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi dhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.

Ndryshe, pas ardhjes së liderëve në orën 10:00, në orën 10:30 fillojnë takimet e Borrell e Lajcak me liderët individualisht.

Takimi mes Kurtit, Bislimit, Cekut, Ahmetit e Osmanit

Nuk është dhënë njoftimi se me cilin nga liderët do të fillojnë dyshja nga BE.

Këto takime nevojiten për konkretizim të pikave që më pas shërbejnë si hartë në takimin trepalësh mes dy diplomatëve të BE-së dhe Kurtit e Vuçiç-it.

Takimet paraprake janë praktikë e vendosur nga ndërmjetësuesja e parë, paraardhësja e Borrellit, baronesha Catherine Ashton.

Këtu u tregohet liderëve se kush do flas i pari dhe kush i dyti. Në cilat anë do të ulën, sa minuta kanë për fjalën hyrëse dhe për çka konkretisht do të flasin.

Liderët në këto takime tregojnë gjithashtu pikat e tyre konkrete dhe më pas arrihet pajtim se çka duhet të flitet e çka jo. E gjitha bëhet që të mos krijohen befasi në takim, por secili paraprakisht ta dijë rolin e vetë.

Më pas fillon takimi trilateral.

Për shkak të semantikës së përdorur dhe ambiguitetit në deklarata, pak mund të kuptohet se cilat janë qëndrimet e dy palëve para takimit.

Megjithatë, deklarimet e ndërkombëtarëve, siç ishte ai i 17 shkurtit nga Escobar, pas takimeve të zhvilluara në Beograd dhe Prishtinë, kanë dhënë nota optimiste për pajtim.

Ohri i Pajtimit – çfarë po ngjanë në qytetin maqedonaso-verior

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore