Lajme

Gjermania për herë të parë do të dërgojë armë të rënda në Ukrainë


Gjermania do të miratojë zyrtarisht dërgimin e sistemeve kundërajrore Gepard në Ukrainë, ndërsa aleatët perëndimorë u zotuan të rrisin mbështetjen për Kievin në një mbledhje në bazën e Forcave Ajrore Amerikane Ramstein në Gjermaninë jugore.

Lajmi u bë i ditur nga Johannes Vogel, një ligjvënës i lartë nga një prej partive të koalicionit qeverisës.

Ai konfirmoi një raport në të përditshmen “Sueddeutsche Zeitung” se ministrja e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, do të ofrojë armët në takimin e së martës me aleatët në bazën ajrore Ramstein të Shteteve të Bashkuara në Gjermani.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili është përballur me kritika brenda dhe jashtë vendit për dështimin e qeverisë së tij për të dorëzuar armë të rënda në Ukrainë, ka premtuar dërgimin e armëve antitank dhe anti-ajror nga rezervat ushtarake gjermane, të cilat ai i përshkroi megjithatë si “armë mbrojtëse”.

Sipas Traktatit për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë, armët e rënda u referohen të gjitha tankeve dhe mjeteve të blinduara dhe të gjithë artilerisë 100 mm e lart.

Avionët luftarakë dhe helikopterët luftarakë gjithashtu klasifikohen si armë të rënda, përcjell Albanian Post.

Gjermania më herët ka thënë se nuk është në gjendje të dërgojë më shumë ndihmë ushtarake në Ukrainë, sepse atëherë ajo nuk do të jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e saj kombëtare dhe të NATO-s.“Këtu, tani duhet të pranojmë se opsionet që kemi po arrijnë kufijtë e tyre”, tha Scholz të martën.

Bundeswehr-i ka thënë se i duhen armët e tij të rënda për të garantuar detyrimet e mbrojtjes kombëtare dhe të aleancës.

Kjo vlen, për shembull, për automjetet luftarake të këmbësorisë Marder ose topan vetëlëvizës 2000, një armë artilerie e rëndë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore