Lajme

Gjermani, infermierja zëvendëson vaksinën anti-COVID me tretësirë kripe


Autoritetet në Gjermaninë Veriore u kanë bërë thirrje mijëra njerëzve, që t’u drejtohen sërish qendrave mjekësore, për të inokuluar vaksinën anti-COVID, pas një skandali se një infermiere e Kryqit të Kuq mund t’u ketë injektuar tretësirë kripe.

Një hetim policor ka zbuluar se një infermiere e Kryqit të Kuq, në vend të dozave të vërteta, mund t’u ketë injektuar ujë fiziologjik.

Kjo ka ndodhur në një qendër vaksinimi në Friesland, një zonë rurale pranë bregut të Detit të Veriut.

“Jam plotësisht i tronditur nga kjo ngjarje”, tha Sven Ambrosy, një këshilltar lokal përmes Facebook-ut, ndërsa autoritetet lokale bënë thirrjen të martën për sensibilizim, pasi 8 mijë e 600 banorë mund të jenë të prekur.

Tretësira e kripur është e padëmshme, por shumica e njerëzve të vaksinuar në Gjermani në mars dhe prill, kur ndodhi shkëmbimi i injeksionit, janë të moshuar dhe në rrezik të lartë për t’u infektuar nga COVID-in.

Hetuesi i policisë, Peter Beer, i cili foli më herët në një konferencë shtypi për mediat gjermane, tha se, bazuar te deklaratat e dëshmitarëve, kishte “një dyshim të arsyeshëm të rrezikut”.

Motivi i infermieres, emri i të cilës nuk bëhet i ditur, nuk ishte i qartë, por ajo reflektonte pikëpamje skeptike në lidhje me vaksinat në postimet e saj në mediat sociale, thanë hetuesit e policisë.

Nuk ishte e qartë nëse e dyshuara ishte arrestuar apo akuzuar për rastin, i cili, sipas transmetuesit NDR, i është dorëzuar një njësie speciale që heton krimet e motivuara politikisht.

Policia lokale nuk pranoi të komentojë jashtë orarit normal të punës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore