Lajme

Gjenerali turk Ozkan Ulutas, zyrtarizohet si Komandant i ri i KFOR-it


Gjenerali italian, Angelo Michele Ristucca, ia ka dorëzuar komandën e KFOR-it gjeneralit turk, Ozkan Ulutas.

Ndërrimi i komandës së KFOR-it është bërë në një ceremoni të mbajtur në Camp Film City në Prishtinë.

Këtë mandat, Ulutas do ta ushtrojë për një vit, derisa me rastin e inaugurimit të komandantit të 28-të KFOR-it në Kosovë ka ardhur edhe admirali Stuart B. Munsch, që është komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.

Përndryshe, kjo do të jetë hera e parë që një zyrtar ushtarak turk komandon një mision paqeruajtës të NATO-s në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.

Ndërkaq pas tensionimit të situatës në Veri, tashmë kanë mbërritur në Kosovë kontingjenti i parë prej 200 ushtarësh britanikë – nga 400 gjithsejtë sa do vijnë për të përforcuar kështu misionin paqeruajtës të NATO-s.

Ushtarët britanikë që janë dislokuar në Kosovë janë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit.

Pos Britanisë, edhe Gjermania do t’i dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR-it.

Po ashtu, edhe Ministria e Mbrojtjes së Rumanisë po përgatitet të dërgojë ushtarakë shtesë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore