Lajme

Gërvalla në Bruksel për të takuar ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla është duke marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm dhe atyre për Evropë të Bashkimit Evropian.

Lajmi është kumtuar përmes një komunikate dërguar mediave.

“Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, me ftesë të Presidencës belge të Këshillit të BE-së, Ministres së Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Jashtme, Hadja Lahbib, po merr pjesë në takimin ministror të BE-së në Bruksel, në 20-vjetorin e zgjerimit, kur 10 shtete të reja anëtare iu bashkuan Bashkimit Evropian në vitin 2004”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim është thënë se do të diskutohet për sfidat, nevojat dhe reformat e sundimit të ligjit në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së.

“Në këtë takim, i cili mbledh ministrat e shteteve anëtare të BE-së dhe atyre me perspektivë anëtarësimi, Republika e Kosovës do të paraqes të arriturat e saj në procesin e integrimit në BE, reformat e thella të ndërmarra në sundim të ligjit dhe fusha të tjera, të evokojë rreth proceseve nëpër të cilat po kalojmë dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Ndërsa është theksuar se Gërvalla, do të realizojë edhe takime bilaterale me ministra të jashtëm dhe të çështjeve të BE-së për të diskutuar rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, me theks të veçantë rreth procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kishte votuar pro raportit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Për miratimin e raportit të raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, kanë qenë 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Para miratimit të raportit, Asambleja Parlamentare e KiE-së, i hodhi poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga Serbia.

Për t’u bërë anëtare e plotë e KiE-së, Kosovës i ka mbetur vetëm edhe një hap: votimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm në muajin maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore