Shqipëria

Gazsjellësi bullgar mund të zgjerohet në Shqipëri


Gazsjellësi më i madh i Bullgarisë, Overgas, po sheh mënyrën se si mund të përhapë aktivitetin e tij në Ballkan, pas blerjes së 50% të aksioneve nga një kompani amerikane. Më parë, kjo gjysmë ishte e zotëruar nga gjigandi rus Gazprom, por këta të fundit, hoqën dorë nga aksionet e tyre.

Tashmë, një mundësi zgjerimi, është edhe ajo e Shqipërisë. Kjo, pasi do të mund të shfrytëzohet gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP), i cili shtrihet në Shqipëri. Një mundësi zgjerimi do të ketë edhe në Kosovë sipas disa raportimeve nga vetë kompania.

Kompania amerikane, Linden Energy, zotëron 10% të aksioneve të gazsjellësit që lidh Greqinë me Bullgarinë (IGB).

Një tjetër partneritet i mundshëm, i cili raportohet, është ai me terminalin e gazit të lëngshëm të Vlorës. Ky i fundit, do të operohet nga ExxonMobil, në një projekt të paralajmëruar, pas marrëveshjes që qeveria shqiptare ka nënshkruar me kompaninë amerikane.

TAP-i do të transportojë rreth 0.7 miliardë metër kub gaz të lëngshëm sipas përllogaritjeve fillestare. Nëse projekti bullgar realizohet, atëherë këtij të fundit do t’i shtohen rreth 270 milionë metër kub gaz.

Pra, me zhvillimin paralel të tre projekteve, do të ketë një bashkërendim shumë të volitshëm të punëve dhe infrastrukturës, i cili i leverdis të gjithëve.

Përtej zgjerimit të tregut bullgar, kjo do të sjellë zhvillim edhe për Shqipërinë. Vende pune mund te hapen potencialisht – përfshi ato të përhershme.

Përtej kësaj, nëse tubacionet kalojnë në Shqipëri, ky është një favorizim për shtetin shqiptar, i cili merr taksën e përcaktuar.

Ai bullgar, ka qenë një treg i vogël sa i përket gazit. E njëjta gjë mund të thuhet për tregun shqiptar, i cili është thuajse inekzistent, për shkak të mungesës së investimeve.

Por, me TAP-in që fillon funksionimin në 2024, situata mund të ndryshojë. Përfshi këtu, edhe investimin bullgaro-amerikan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore