Lajme

Franca do të ndihmojë Afrikën me prodhimin lokal të vaksinave


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar në një konferencë të përbashkët me homologun e tij afrikano jugor, Cyril Ramaphosa, se do të ndihmojë nisjen e prodhimit të vaksinave kundër Covid-19 në kontinentin afrikan.

“Kemi një plan investimi strategjik për të nisur prodhimin e vaksinave në kontinentin afrikan”, deklaroi Macron në konferencë. “Kjo do të ndihmojë në shpërndarjen më të shpejtë të dozave”.

Mbi këtë, Macron shtoi se ka një ujdi me Institutin e Afrikës së Jugut, Biovac, për këtë plan. Së shpejti pritet që projektit t’i shtohet edhe kompania farmaceutike Aspen.

“Duhet me patjetër të vaksinojmë numrin më të madh të njerëzve në gjithë botën. Është detyra jonë morale dhe interesi i të gjithëve”.

Kontinenti afrikan është ende mbrapa me procesin e vaksinimit. Kjo, për shkak të mungesës së theksuar të vaksinave të kontraktuara nga shtetet afrikane.

Vendet janë kryesisht të varfra dhe është e vështirë të bihet dakord me kompanitë e mëdha farmaceutike. Pikërisht për këtë fakt, kjo nismë e Macron-it mund të rezultojë tejet e suksesshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore