Lajme

Formati ‘Ramstein’ do të mblidhet në Gjermani në shtator


Takimi i radhës i grupit të krijuar nga vendet perëndimore për të koordinuar ndihmën ushtarake për Kievin, në të ashtuquajturin format “Ramstein”, do të zhvillohet më 8 shtator në Gjermani në bazën ajrore amerikane.

Lajmi u bë i ditur nga komanda e Forcave Ajrore Amerikane në Evropë dhe Afrikë.

“Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin do të mbajë personalisht një takim të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës në bazën ajrore Ramstein në Gjermani më 8 shtator 2022”, thuhet në mesazh.

Austin thuhet se ka ftuar ministra të mbrojtjes dhe zyrtarë të lartë nga e gjithë bota.

Kjo, për të diskutuar luftën në Ukrainë dhe çështje të ndryshme sigurie me të cilat përballen aleatët dhe partnerët e SHBA-ve.

Që nga fillimi i formimit të grupit të kontaktit, tashmë janë mbajtur disa takime, në të cilat partnerët e Ukrainës njoftuan ndarjen e ndihmës mbrojtëse.

Takimi do të mbahet për herë të dytë në bazën ajrore “Ramstein”.

Më 17 gusht, Lloyd Austin raportoi se ai diskutoi mbështetjen e SHBA-ve për Ukrainën dhe planifikimin e takimit të ardhshëm në formatin Ramstein në një bisedë telefonike me Ministrin e Mbrojtjes të Ukrainës Reznikov.

Shtetet e Bashkuara në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës njoftuan një paketë shtesë ndihme ushtarake në shumën prej 2.98 miliardë dollarësh për Forcat e Armatosura ukrainase.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore