Futboll

Finalja e Kupës së Carabao-s, ‘Wembley’ pret 2 mijë shikues


Ndeshja Tottenham Hotspur vs Manchester City, e vlefshme për finalen e Kupës së Carabao-s më 25 prill, do të mirëpresë 2 mijë tifozë në stadiumin “Wembley”.

Ndërkohë, mësohet se shikues apo tifozë nën moshën 18 vjeç, ata që kanë imunitet të dobët apo janë diagnostifikuar si të tillë, si dhe femrave shtatzënë nuk do t’u shiten bileta e as nuk do t’u lejohet pjesëmarrja.

Para se të hyjnë në “Wembley”, tifozët duhet të kryejnë një test në një zonë të veçantë. Nuk bëhet fjalë në shtëpi, por duhet të ndodhë 24 orë përpara ndeshjes.

Ata që do t’i nënshtrohen testit, duhet të kenë me vete rezultatet në stadium. Stafi përgjegjës do t’i kontrollojë: nëse fleta e rezultateve, përputhet me analizat, do të mund të hyjnë.

Kushdo që arrin të blejë një biletë për ndeshjen, duhet të nënshkruajë dhe një fletë, e cila dëshmon se personi ka pranuar të listohet në programin kërkimor të qeverisë britanike në kuadër të pandemisë Covid-19.

Sipas qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, ky protokoll do t’ia lehtësojë rrugëtimin për të hapur sërish plotësisht stadiumet dhe sheshet sportive, por mbi të gjitha do kontribuojë në luftën kundër coronavirus-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore