Lajme

Evropa përpiqet për një rregullim afatgjatë pasi Putin-i ndërpret gazin


Teksa polakët dhe bullgarët shqetësohen se sobat s’do të punojnë, pjesa tjetër e Evropës po përpiqet të përgjigjet pas lëvizjes së fundit të Vladimir Putin-it, duke ndërprerë furnizimin me gaz për klientët kryesorë.

Javën e kaluar, Moska ndaloi dërgesat e gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Poloni dhe Bullgari.

Po ashtu ka kërcënuar të bëjë të njëjtën gjë me vendet e tjera për mbështetjen e tyre ndaj Kievit, duke nxitur akuza për shantazh nga vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Taktika e Putin-it është interpretuar si një paralajmërim për kundërshtarët në Evropë, si dhe një përpjekje për të rimbushur rezervat e tij të parave.

Mesazhi që ai kërkon të përcjellë është se pa rubla nuk ka gaz.

Një ditë pasi Kremlini mbylli rubinetin, ofruesit e energjisë si Uniper në Gjermani dhe Eni SpA në Itali, hapën llogari me bankën ruse Gazprombank për të blerë gazin rus.

Kështu, ata i kanë dhënë Moskës një fitore të madhe në përpjekjet për të marrë pagesa në rubla.

Kompanitë energjetike, teksa sfidojnë përpjekjet e Bashkimit Evropian për të mbajtur një front të bashkuar kundër Moskës, mund të qëndrojnë teknikisht në përputhje me sanksionet nën një boshllëk që u lejon atyre të paguajnë Gazprombank në euro.

Këto të fundit banka do t’i konvertojë në rubla në një llogari të veçantë.

“Putin-i e ka këtë armë dhe po e përdor”, ka thënë Natasha Lindstaedt, profesoreshë e qeverisjes në Universitetin e Essex-it.

“Jo armët ushtarake që ai përdor në luftë, por arma e të gjithëve që varen nga burimet natyrore të vendit të tij”, ka vijuar ajo.

Sipas saj, pagesat që ai kërkon në rubla do të ndihmojnë në financimin e përpjekjeve të tij për luftë.

Regjimi i sanksioneve të udhëhequra nga Perëndimi kundër Rusisë ka gjymtuar ekonominë e vendit dhe ka varfëruar rezervat valutore, duke bërë që Moska të përdorë eksportin kryesor për të mbushur arkat.

Por dinamika i vë në një pikë të ngushtë vendet që janë klientët kryesorë dhe kritikët e Moskës, si Gjermania.

“Gjermania varet më shumë nga gazi rus se kushdo tjetër në Evropë”, ka theksuar Lindstaedt.

“Gjermanët do të duhet të shikojnë më shumë drejt Lindjes së Mesme, gjë që mund të mos duan ta bëjnë për arsye të tjera dhe më problematike është se vendi ka pasur një lëvizje të fortë të gjelbër për një kohë të gjatë:, ka thënë ajo.

Dhe fakti që kanë mbajtur qëndrimin e energjisë alternative të mjaftueshme ndaj gazit dhe naftës, përbën një telash jo të vogël.

Javën e kaluar, Komisioni Evropian njoftoi krijimin e një task force rajonale në Sofje, e cila do të hetojë për burime të tjera energjie përpara goditjes së dimrit bullgar.

Analisti Benedict McAleenan është i mendimit se Putin-i dëshironte të ndante kombet evropiane dhe të prishte qëndrimin e tyre të bashkuar.

Polonia dhe Gjermania sapo kishin arritur një marrëveshje që do ta ndihmonte Gjermaninë t’i bashkohej sanksioneve të naftës kundër Rusisë, duke përdorur tubacionet polake për të furnizuar rafineritë gjermane.

Kurse Putin-i po përpiqet t’i ndëshkojë ata për këtë.

Për Lindstaedt, Bullgaria kishte më shumë nostalgji për Luftën e Ftohtë se sa shumë nga shtetet e ish-bllokut lindor.

“Putin-i ka një mbështetje të konsiderueshme atje dhe një pjesë e kësaj vjen nga raportimi i luftës në Ukrainë, duke u inkuadruar si shpifje të paprovuara mediatike dhe propagandë perëndimore”, ka treguar ajo.

“Kështu që kjo mund të anulohet pasi ai detyrohet të ndërmarrë këtë veprim”, ka shtuar.

Nëse Rusia po luan lojë, duke shpresuar se liderët evropianë mund të ndikohen nga zemërimi i publikut për rritjen e çmimeve të energjisë, ka potencialin të sjellë shumë më tepër probleme ekonomike.

“Evropa nuk mund të zëvendësojë lehtësisht gazin që Rusia propozon të ndërpresë”, ka paralajmëruar ekonomisti Nick Butler.

“Rritjet reale të çmimeve nuk kanë funksionuar ende, sepse asnjë furnizim nuk është ndërprerë ende përtej Polonisë dhe Bullgarisë”, ka shtuar ai.

Tashmë, me më shumë vende evropiane që po përballen me inflacion të lartë, është e paqartë nëse një lojë e tillë do të zvogëlonte apo ngurtësonte vendosmërinë kundër Moskës.

“Rrugët e vetme janë nëse Rusia ndalon së sulmuari fqinjin e saj, ose Evropa lëviz shumë shpejt drejt një sistemi me kërkesë më të ulët për energji, më shumë burime të rinovueshme, energji bërthamore dhe shumë më tepër gaz të lëngshëm”, ka thënë McAleenan.

“Perspektiva tjetër është një recesion ndërkombëtar, i cili mund të ndihmojë në uljen e çmimeve, por vështirë se është diçka për të dëshiruar”, ka vijuar ai.

Ndërsa Lindstaedt është e mendimit se mësimi kryesor për Evropën është ajo ka qenë në gjumë në një situatë kaq të cenueshme.

“Putin-i ka dërguar paralajmërime të qarta për disa kohë se Evropa, NATO-ja, apo kushdo qoftë armiku i tij i perceptuar, nuk duhet të kapërcejë”, ka thënë ajo.

“Është një rrëmujë që do të përsëritet”, ka parashtruar ajo.

Sepse Joe Biden-i po nxit për më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën, aleatët e SHBA-ve në Evropë janë dakord dhe Rusia përgjigjet duke përdorur armën e saj të furnizimit me gaz kundër atyre aleatëve.

“E vetmja mënyrë reale që ai të ndalojë është që gazi të hiqet disi nga ekuacioni”, ka përmbyllur profesoresha.

 

Marrë nga “Al Jazeera”, përshtatur për Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore