Lajme

Evropa akuzon SHBA-të se po përfitojnë në kurriz të luftës


Nëntë muaj pas pushtimit të Ukrainës, Vladimir Putin, ka nisur të thyejë Perëndimin.

Zyrtarët e lartë evropianë janë të zemëruar me administratën e Joe Biden-it dhe tani po i akuzojnë amerikanët se kanë bërë pasuri nga lufta, ndërsa vendet e Bashkimit Evropian po vuajnë.

Të paktën kështu ka pohuar një zyrtar i lartë evropian për prestigjiozen “Politico”.

“Fakti është, nëse e shikoni me maturi, vendi që po përfiton më shumë nga kjo luftë janë SHBA-të sepse po shesin më shumë gaz dhe me çmime më të larta dhe po shesin më shumë armë”, tha ai.

Komentet shpërthyese – të mbështetura publikisht dhe privatisht nga zyrtarë, diplomatë dhe ministra gjetkë – pasojnë zemërimin në rritje në Evropë mbi subvencionet amerikane që kërcënojnë të shkatërrojnë industrinë evropiane.

Kremlini zyrtar ka të ngjarë të mirëpresë helmimin e atmosferës midis aleatëve perëndimorë.

“Ne jemi me të vërtetë në një moment historik”, tha zyrtari duke argumentuar se goditja e dyfishtë e ndërprerjes së tregtisë nga subvencionet e SHBA-ve dhe çmimet e larta të energjisë rrezikojnë ta kthejnë opinionin publik kundër përpjekjeve të luftës dhe aleancës transatlantike.

“Amerika duhet të kuptojë se opinioni publik po ndryshon në shumë vende të BE-së”.

Edhe, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, i bëri thirrje Washington-it që t’i përgjigjet shqetësimeve evropiane.

“Amerikanët – miqtë tanë – marrin vendime që kanë një ndikim ekonomik tek ne”, tha ai në një intervistë për “Politico”.

Pika më e madhe e tensionit në javët e fundit kanë qenë subvencionet dhe taksat e gjelbra të Bidenit për të cilat Brukseli thotë se në mënyrë të padrejtë anojnë tregtinë nga BE-ja dhe kërcënojnë të shkatërrojnë industritë evropiane.

Pavarësisht kundërshtimeve formale nga Evropa, Washington-i deri më tani nuk ka treguar asnjë shenjë tërheqjeje.

Në të njëjtën kohë, përçarja e shkaktuar nga pushtimi i Putinit në Ukrainë po i fut ekonomitë evropiane në recesion, me inflacionin në rritje dhe një shtrëngim shkatërrues të furnizimeve me energji që kërcënon ndërprerjet dhe racionimin e këtij dimri.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se çmimet e larta të gazit në SHBA nuk ishin “miqësore” dhe ministri gjerman i ekonomisë i ka bërë thirrje Washington-it të tregojë më shumë “solidaritet” dhe të ndihmojë në uljen e kostove të energjisë.

“Evropianët janë dukshëm të frustruar për mungesën e informacionit dhe konsultimit paraprak”, tha David Kleimann nga grupi i ekspertëve Bruegel.

Zyrtarët në të dy anët e Atlantikut njohin rreziqet që atmosfera gjithnjë e më toksike do të ketë për aleancën perëndimore.

Grindja është pikërisht ajo që Putini do të dëshironte – ranë dakord diplomatët e BE-së dhe SHBA-ve.

Një zyrtar amerikan theksoi se përcaktimi i çmimit për blerësit evropianë të gazit pasqyron vendimet e tregut privat dhe nuk është rezultat i ndonjë politike apo veprimi të qeverisë amerikane.

Pavarësisht mosmarrëveshjeve energjetike, vetëm kur Washington-i njoftoi një skemë subvencionimi industrial prej 369 miliardë dollarësh për të mbështetur industritë e gjelbra sipas Aktit të Reduktimit të Inflacionit, Brukseli kaloi në gjendje të plotë paniku.

“Akti i Reduktimit të Inflacionit ka ndryshuar gjithçka”, tha një diplomat i BE.

“A është Washington-i ende aleati ynë apo jo?”

Për Biden, legjislacioni është një arritje historike klimatike.

Por BE-ja e sheh këtë ndryshe.

Një zyrtar nga ministria e punëve të jashtme të Francës tha se diagnoza është e qartë: këto janë “subvencione diskriminuese që do të shtrembërojnë konkurrencën”.

Ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire, këtë javë madje akuzoi SHBA-të se po ndjek rrugën e Kinës të izolimit ekonomik, duke i kërkuar Brukselit të përsërisë një qasje të tillë.

Në prapaskenë, ka gjithashtu një acarim në rritje për paratë që derdhen në sektorin amerikan të mbrojtjes.

Marrë nga Politico, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore