Kosova

Anulohet tenderi kontravers për “mbikqyrësin e lajmeve” kundër MASHTI-t


Arbërie Nagavci

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) anuloi tenderin që synonte monitorimin e mediave, thuhet në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të internetit të Prokurimit Publik të Kosovës, ku janë dhënë edhe arsyet që çuan deri te anulimi i tenderit për angazhimin e një eksperti për monitorimin dhe analizimin e paraqitjes mediatike.

Në faqen E-prokurimi shkruhet se ndërprerja e aktivitetit të prokurimit “kontraktor individual për monitorim të mediave, qasje në dokumente publike dhe financiare” vjen pas “ngjarjeve dhe/apo arsyeve objektive dhe të demonstrueshme të cilat janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe të cilat kanë qenë të paparashikueshme” në kohën e inicimit të procedurës.

E vendimi për anulimin e tenderit për angazhimin e një eksperti, i cili, ndër të tjera, do t’i monitoronte lajmet të cilat e kritikojnë institucionin apo ministren, është marrë më 24 maj 2024, ndërsa vlera e paraparë e këtij tenderi ishte 7 mijë e 200 euro. Pas shpalljes së tenderit reagoi edhe organizata INPO, duke kërkuar anulimin e procedurës së prokurimit.

MASHTI, në një reagim të mëparshëm, u kërkoi falje gazetarëve për përdorimin e “termit joadekuat”. Në një komunikatë për media pas reagimeve publike, institucioni nën udhëheqjen e ministres nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, theksoi se “lëshimi ndodhi për shkak të zgjedhjeve të termave joadekuat” dhe se “ka qenë i paqëllimshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore