Sport

“Është keq që nuk kemi plan afatgjatë” – Fred kritikon Manchester United për emërimin “e çuditshëm” të Rangnick-ut si trajner


Futbollisti i Manchester United, Fred, ka kritikuar drejtuesit e klubit të tij për dështimin e krijimit të një plani afatgjatë në ekip.

Ylli brazilian pretendon se të kesh një menaxher të përkohshëm në ekip, siç e ka Manchester-i Ralf Rangnick-un, është paksa e çuditshme.

28 vjeçari në një intervistë të dhënë për mediat angleze, shpërtheu duke thënë “Unë e di se në futboll është e rëndësishme të arrish rezultate të mira sa më shpejt të jetë e mundur, por është gjithashtu e rëndësishme të kesh një plan afatgjatë”.

“Është pak keq për ne që të mos kemi një të tillë. Për momentin gjithçka ka të bëjë me qëllimet afatshkurtra. Nuk e dimë se si do të jetë pas përfundimit të këtij sezoni”.

Trajneri gjerman, Ralf Rangnick mori drejtimin e “djajve të kuq” në dhjetor të vitit të kaluar, por i cili qysh në fillim u emërua si trajner i përkohshëm deri në fund të këtij sezoni.

Sido që të jetë, Fred këmbëngul se hierarkia e klubit duhet t’i rregullojë gjërat në mënyrë që ata të mund t’i kthehen sfidave për të synuar sukseset.

Ai kthehet duke komentuar finalen e Ligës së Evropës në sezonin e kaluar, për të cilën braziliani pretendon se duhet ta kishin fituar atë ndeshje kundër Villarreal-it.

“Ne duam të fitojmë trofe, por ka qenë një thatësirë në ekip. Me gjithë respektin për Villarreal-in, ishte detyra jonë të fitonim atë finale të Ligës së Evropës dhe ne dështuam”, shtoi Fred.

“Nëse nuk doni të fitoni tituj, nuk e meritoni të luani për Manchester-in. Ne jemi ende në Ligën e Kampionëve, por le të shohim nëse do të arrijmë më mirë sezonin e ardhshëm për ta ngritur klubin edhe më lartë”, tha mes tjerash Fred.

Kutjojmë që Manchester United do të përballet në fazën e 1/8-ve të finales së Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madrid-it këtë të mërkurë.

Ndërsa sa i përket Premier Leauge-s, ata aktualisht pozicionohen në vendin e katërt në tabelë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore