Lajme

“Ende në kërkim të minoritetit më të shtypur në Evropë?”, Bislimi reagon për diskriminimin e shqiptarëve në Luginë


Besnik Bislimi

“Ende në kërkim të minoritetit më të shtypur në Evropë?”, ka pyetur Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, duke iu referuar diskriminimit sistematik që Serbia ua bënë shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës.

Shkas për reagimin e Bislimit këtë herë, ka qenë mospunësimi i shqiptarëve në institucionet shëndetësore në Serbi.

“Diskriminimi i minoritetit shqiptar është përhapur në mënyrë alarmante në institucionet shëndetësore të Serbisë. Nga 1316 punonjës në spitalin rajonal në rrethin e Vranjës, asnjë nuk është shqiptar, pavarësisht se 30% e popullsisë që merr shërbime shëndetësore është shqiptare”, shkroi ai në rrjetin social X.

“Asnjë shqiptar nuk ka qenë në krye të asnjë institucioni shëndetësor lokal që nga viti 2021 kur u shkarkua drejtori në Preshevë, ku 93% e popullsisë janë shqiptarë”, shtoi.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri theksoi se “rreth 18 persona punojnë në Institutin e Shëndetit Publik në Vranjë, por asnjë nuk është shqiptar”.

“Në Medvegjë nuk ka asnjë punonjës shqiptar nga 68 në qendrën shëndetësore”, ngriti shqetësimin.

Bislimi pohon se për pakicën shqiptare në Serbi, “ky është normaliteti për më shumë se një dekadë”.

Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi, më 31 gusht ka ndërmarrë një aksion simbolik përpara shtëpisë së shëndetit në Bujanoc dhe Preshevë, për shkak të diskriminimit që po i bëhet shqiptarëve sa i përket punësimit në këto qendra të shëndetit, përkundër se ata janë shumicë.

Para shtëpisë së shëndetit në Bujanoc dhe Preshevë ishin vendosur banere me mbishkrimin: “SHTËPIA E DISKRIMINIMIT”.

Kryetari i KKSh-së, Nevzad Lutfiu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sipas informacioneve që kanë “7 mjekë shqiptarë janë refuzuar në konkursin e fundit në shtëpinë e shëndetit në Bujanoc, ndërsa është pranuar një kuadër nga Vranja”.

Shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës janë të shtypur sistematikisht nga institucionet e Serbisë.

Madje, atyre nuk iu lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Së fundmi një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin amerikan është pasivizimi i adresave që Serbia po i bënë shqiptarëve atje, posaçërisht në Medvegjë.

“Shtëpia e diskriminimit”, KKSH-ja me aksion simbolik para qendrave të shëndetit në Luginë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore