Lajme

Ekspertët paralajmërojnë për ndërprerje të energjisë gjatë verës në SHBA


Disa pjesë të Texas-it, Midwest-it dhe Jugut mund të përballen me ndërprerje të shtuara të energjisë elektrike gjatë verës.

John Bear, shefi i Operatorit të Pavarur të Sistemit Midcontinent, ka thënë se ndërprerjet “po ecin në atë drejtim mjaft shpejt”.

Sakaq, Korporata Elektrike e Amerikës së Veriut liston Midwest-in në rrezikun më të lartë.

Ky paralajmërim vjen pasi Komisioni Federal Rregullator i Energjisë Elektrike, organi i pavarur që mbikëqyr rrjetin elektrik të SHBA-ve, ka vlerësuar se çmimet e energjisë në rajon mund të rriten me 233 për qind në kulmin e verës.

E gjitha e nxitur nga kërkesa e lartë me rritjen e temperaturave dhe çmimet e larta të gazit për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Administrata Kombëtare e Oqeanit dhe Atmosferës ka njoftuar se temperaturat mesatare të verës në të gjithë SHBA-të do të jenë midis 50 dhe 80 për qind më të larta se normalja.

Megjithatë, Bear ka ravijëzuar edhe përpjekjet e administratës së Joe Biden për të kaluar gjashtë rrjetet energjetike të Amerikës në një sistem të dekarbonizuar si pjesë e problemit.

Në maj, gjatë një konference për shtyp në Shoqatën e Energjisë së SHBA-ve, ai vuri në dukje se një pjesë e përpjekjeve përfshinin heqjen graduale të njësive të karburanteve fosile përpara se bateritë e reja të jenë në dispozicion.

Më parë, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar strategjinë afatgjatë të Presidentit Joe Biden për të dekarbonizuar ekonominë amerikane deri në vitin 2050.

Nën këto përpjekje, secili nga gjashtë rrjetet elektrike të Amerikës së Veriut do të shohë rënie të kapacitetit të energjisë gjatë muajve të ardhshëm.

Rrjeti i Texas-it, i cili u përball me ndërprerje të konsiderueshme gjatë stuhisë dimërore Uri në shkurt të vitit 2021, ku humbën jetën 246 njerëz, pritet të humbasë 2.9 gigavat gaz, qymyr dhe kapacitet bërthamor këtë vit.

Kurse rrjeti i drejtuar nga Bear do të humbasë 3.2 gigavat kapacitet energjie për shkak të largimit të impianteve të qymyrit që nuk po zëvendësohen.

Ndërkohë, komisionerët republikanë kanë argumentuar për një tranzicion më të ngadaltë për të siguruar shmangien e mungesës së energjisë.

“Ne po shkojmë drejt një krize besueshmërie. Ne thjesht nuk jemi ende gati”, ka thënë Mark Christie, një nga anëtarët republikanë.

Nga ana tjetër, Departamenti i Energjisë ka nxjerrë një sërë hapash që banorët mund të ndërmarrin për të qëndruar të sigurt dhe të qetë gjatë një ndërprerjeje të energjisë elektrike në mot të nxehtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore