Lajme

Edhe tri vetura me targa RKS digjen në Veri


Policia e Kosovës.

Edhe tri vetura me targa RKS janë djegur mesnatën e së premtes në Veri të Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate dërguar mediave nga Policia e Kosovës.

“Me 31 mars 2023 pas mesnatës, në veri të vendit është raportuar se nga persona të panjohur janë djegur edhe tri vetura që iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, të cilat kanë qenë të parkuara njëra në rrugën “Kral Milutin”- Zveçan, tjetra në rrugën “Ivo Lola Ribar”- Mitrovicë Veri, si dhe e treta në rrugën “Vlade Çetkoviq”- Mitrovicë Veri”, thuhet në komunikatë.

“Pas dy veturave të djegura me datën 30.03.2023 në veri të vendit, pas mesnatës së datës 31.03.2023, iu është vënë zjarri edhe tri veturave të tjera, të cilat iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, e të cilat ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës (RKS)”.

Nga policia, është thënë se kanë dalur në vendin e ngjarjes mënjeherë pas informimit, teksa kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Sikurse edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, pas pranimit të informacioneve, njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”.

Me rastin, është njoftuar edhe prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit janë iniciuar rastet ‘zjarrvënie’ për procedura të mëtejme hetimore.

Edhe më 30 mars në Zubin Potok ishin djegur dy vetura të cilat kishin konvertuar targat e tyre në RKS.

Raste të ngjashme kishte pasur edhe gjatë muajit nëntor dhe dhjetor të 2022.

Për të gjitha rastet nga policia ishte thënë se kishin ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore si dhe kishin njoftuar ekipin e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë po ashtu në vendin e ngjarjes.

Ilustrim.

Në fund të 2022, në veriun e Kosovës u rritën tensionet për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës që të gjitha makinat me targa ilegale të lëshuara nga Serbia t’i konvertonin ato në targa RKS.

Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, por edhe për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, serbët lokalë ngritën barrikada në veri.

Barrikadat u hoqën disa ditë më vonë pasi ish-policit Dejan Pantiç iu ndryshua masa e sigurisë, nga paraburgim në arrest shtëpiak.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u pajtuan për çështjen e targave.

Kosova hoqi dorë nga veprimet që parashihte vendimi për riregjistrimin e targave, ndërkaq Serbia u pajtua se nuk do të lëshonte më targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.

Nga institucionet e Kosovës akoma nuk është bërë e ditur se sa makina janë regjistruar me targat RKS.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjithnjë e më shumë qytetarët nga veriu janë duke u pajisur me targa RKS.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore