Lajme

Edhe një gazetare nga Ukraina arrin në Kosovë


Arritja e gazetares ukrainase në Kosovë.

Të hënën e 19 dhjetorit, ka mbërritur gazetarja ukrainase, Olga Lisnycha, e cila do të strehohet për një kohë në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve, nga të cilët është thënë se Lisnycha do t’i bashkohet kolegëve të saj, gazetarëve ukrainas të cilët janë duke qëndruar poashtu në Kosovë.

“Gazetarja është mirëpritur në aeroport nga Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, përfaqësues të MPB-së dhe Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Nga ky Asociacion është sqaruar edhe mënyra e financimit e gazetarëve.

“Gazetarët ukrainas që nga muaji prill i këtij viti, nga ky program që është iniciuar nga ECPMF-ja, e që financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës kanë përfituar pagë mujore, kurse të gjuhës shqipe dhe angleze, kurse të integrimit, kanë realizuar vizita në qytetet e Kosovës dhe Shqipërisë”.

“AGK-ja, falënderon partnerët vendorë e ndërkombëtarë që mundësuan programin të implementohet më me lehtësi”.

Më 12 tetor në Kosovë kishin arritur edhe Liudmyla Troitska dhe Olena Solodovnikova.

Arritja e dy gazetarëve ukrainase në muajin tetor.

Të dy gazetaret ishin mirëpritur në aeroport nga kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, zyrtarja Ligjore e ECPMF-së, Flutura Kusari, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës.

Ndryshe më herët si pjesë e programit, ishin strehuar edhe katër gazetarë.

Lyudmila Makey, ishte gazetarja e parë nga Ukraina që kishte ardhur në Kosovë, të dielën e 17 prillit.

Mekay, deklaroi se është e rrezikshme që të jesh gazetare në Ukrainë, duke përmendur faktin që forcat e okupatorit rus kanë vrarë  21 gazetarë në Ukrainë deri më tani.

“Falënderoj shumë të gjithë juve që më keni mundësuar të vijë në Kosovë. Ky program më mundëson që të mbetem në profesionin e gazetares. Jam thellësisht e prekur me faktin se si njerëz tërësisht të huaj dëshirojnë të na ndihmojnë. Besoj që bashkëpunimi ynë dhe solidariteti nga gazetarët tjerë është një hap i rëndësishëm drejt paqes”, tha ajo.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ka 40 trupa që shërbejnë si paqeruajtës në vend nën një mision të NATO-s.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para me 24 shkurti.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e po ashtu edhe Kosova, janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore