Sport

E ardhmja e Ramos-it vendoset brenda 95 ditëve


Kanë mbetur vetëm 95 ditë përpara se kapiteni i Real Madrid-it, Sergio Ramos-i, të përfundojë kontratën me klubin dhe e ardhmja mbetet në ajër.

Ramos-i është një prej legjendave të Los Blancos dhe është gati të largohet nga klubi pas 16 sezonesh. Por, ndërkohë koha e mbetur u jep mundësi të dy palëve për të reflektuar mbi një kontratë të re.

Real-i ka pasur disa raste kur legjendat e klubit janë larguar papritur. Brenda dekadës së fundit janë larguar Raul-i, Iker Casillas-i dhe Cristiano Ronaldo.

Goditja që klubi ka marrë nga pandemia, ka lekundur jo pak financat dhe kjo është arsyeja që klubi dhe Ramos-i, nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët. Mbrojtësi kërkon kontratë dy vjeçare, ndërsa klubi i ka ofruar një vjeçare dhe me reduktim page në 20%. Reduktim i cili do të aplikohet edhe për pjesën tjetër të stafit në të gjithë klubin.

Ramos-i i ka dhënë mundësi klubit, që të veprohet në të njëjtën mënyrë që Barcelona vepron me Gerard Pique-n, ku paga e lojtarit paguhen me këste, e ndarë në dy vite, në mënyre që edhe klubit t’i jepet kohë për të gjeneruar të ardhurat.

Real-i po shikon alternativa të tjera, nëse nuk gjen gjuhën e përbashkët me Ramos-in dhe pikërisht bëhet fjalë për David Alaba-n, i cili mund të vijë si transferim i lirë nga Bayern Munich-u. Çka duket më e favorëshme për klubin, pasi austriaku është gjashtë vite më i ri se kapiteni 34-vjeçar.

Megjithatë paga e austriakut do të jetë e lartë, në mos më e lartë edhe se ajo e kapitenit, që aktualisht peshon në arkat e klubit me 27 milionë euro, duke përfshirë edhe taksat.

Gjasat janë të mëdha që Ramos-i të largohet nga klubi madrilen. Aktualisht ai është lojtari i pestë me më shumë paraqitje në historinë e klubit, 670 ndeshje. Mancheser United-i dhe PSG-ja janë dy klubet që e ndjekin me shumë interes situatën e Ramos-it te Real-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore