Lajme

Dy protesta mbahen në Prishtinë për 1 maj, kërkohen të drejtat e punëtorëve


Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve do të shënohet në Kosovë me dy protesta, njëra e organizuar nga Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat te Kosovës, kurse protesta tjetër është organizuar nga blloku anti-kapitalistë i Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.

Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorin Privat të Kosovës ka paraparë të mbajë protestë nga ora 11:00, ku pritet të marrin pjesë udhëheqësit e shoqatave sindikale në komunën e Prishtinës. Protesta nis nga sheshi “Zahir Pajaziti”, dhe vazhdon deri te objekti i Qeverisë.

Ndërsa nga ora 12:00, Bllok Anti-Kapitalist i Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Dylberizm, Aktivistet/ët e Bashkuar për Drejtësi mban protestë në nga sheshin “Zahir Pajaziti”.

“Punëtore/ë, të papuna/ë, studente/ë, pensioniste/ë, bashkohemi e qëndrojmë bashkë kundër patriarkatit hetero-seksist, kapitalist, racist, ksenofob e transfob dhe ritheksojmë se ndryshimet rrënjësore e çlirimi i përket klasës punëtore”, thuhet në njoftimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.

Ndryshe, 1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.
Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: ”8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore