Shqipëria

Do t’i parashikojë Facebook-u zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri?


Rreth 1.8 miliardë dollarë, u investuan në vitin 2018 në marketing digjital për fushata politike. Në vitin 2020, kjo shifër shkoi në 2.8 miliardë dollarë.

Në fakt, tre presidentët e fundit në SHBA, kanë një të përbashkët të madhe: Mediat sociale shumë aktive. Barack Obama ishte ndër të parët që e zhvilloi fushatën online. Dy pasuesit e tij, Donald Trump dhe Joe Biden, janë në të njëjtën rrjedhë filozofike të fushatave: Gjithçka, mund të bëhet online!

Në rastin e Trump-it, madje, Facebook ishte i vetmi që parashikoi fitoren e republikanit. Ndërkohë, çdo media tradicionale në SHBA, kaloi në një mea culpa, për shkak të nënvlerësimit, fatal në këtë rast, të të dhënave që u morën nga mediat sociale.

Rastin e fundit jo shumë të largët, na e paraqiti përpara syve pikërisht Albin Kurti. Atë e ndjekin 467 mijë persona në rrjetin social Facebook. Në zgjedhje, Vetëvendosje mori 378 mijë vota. Nëse do të bënim një deduktim për këto shifra, do të binim dakord se hiq personat pa të drejtë vote që mund ta ndjekin dhe ndokënd që nuk ka pasur mundësi të votojë, të tjerët kanë shkuar të gjithë kah tij.

Situata në Shqipëri zgjedhjet, është e ngjashme. Kryeministri Edi Rama, ka mbi dyfishin e ndjekësve të kryetarit të opozitës, Lulzim Basha. Numri i votave që Partia Socialiste mori në zgjedhjet e vitit 2017, ishin thuajse dyfishi i atyre të Partisë Demokratike! Një hendek i qartë në media sociale, që reflektohet, pse jo frikshëm, në rezultate konkrete.

Çfarë po ndodh me politikanët dhe mediat sociale?

“Ndikimi i mediave sociale në proceset zgjedhore është një fenomen i cili ka shënuar rritje përgjatë dekadës së fundit”, ka thënë për Albanian Post Julian Myftari, studiues i filozofisë politike. “Në Shqipëri, qasja në internet ka qenë në rangun e 75% të popullsisë. Kështu, në media sociale, politikanët krijojnë perceptimin e komunikimit të dy-kahshëm”.

Sipas Myftarit, “kjo e bën zgjedhësin të perceptojë median sociale si hapësirë ku mund të jetë pjesëmarrës aktiv”. “Pjesa dërrmuese e personave midis 18 dhe 40 vjeç, i përdorin çdo ditë mediat sociale”, shton ai.

“Nga pikëpamja demografike, Shqipëria është një vend me popullsi relativisht të re. Kjo, i bën mediat sociale mjetin e përsosur për të influencuar opinionin publik. Por, ka edhe penalizime, pasi moshat e treta dhe zonat e thella rurale, nuk mund të kenë akses”.

Për ekspertin e mediave sociale, Veli Reçi, “çdo politikan po i kushton shumë vëmendje mediave sociale”. ‘Ka një rritje të ndjeshme të përdorimit të mediave sociale në 5-vjeçarin e fundit nga politika”.

“Politika është e pranishme në çdo media sociale”, thekson Reçi. “Në botë më shumë përdorin Twitter-in. Kjo, pasi është më direkt dhe ka dizajn më të pastër”.

Përsa i përket Shqipërisë ndërkohë, Facebook-u është ai që përdoret më së shumti nga politikanët. “Përdoret Facebook-u si mjet për transmetime live. Ai ofron audiencë gjithëpërfshirëse, kjo e bën më të përdorshëm”.

Ka një sherif të ri në qytet!

Ishin mediat tradicionale, ato që më parë diktonin opinionin publik. Ato për shumë vite u quajtën zotat modernë.

Radio, gazetat, televizioni më pas. Mjeti i përdorur drejt pushtetit. Që nga udhëheqësit famëkeq si Adolf Hitler, deri tek ata më elegantët dhe elokuentët, Si John Kennedy dhe Ronald Reagan, të gjithë e kanë përdorur fuqinë mediatike për të shkuar drejt majës.

Por, sot, ka një sherif të ri në qytet. Një mjet, të cilin shumë e përgojonin më parë, tashmë po e kuptojnë se është çelësi i fitoreve zgjedhore. Mbi të gjitha, i pa gabueshëm edhe kur të tjerët gabojnë.

Në Shqipëri, dy rivalë janë në luftën zgjedhore për të marrë postin më të lartë drejtues. Nga njëra anë, kryeministri Rama, me 1.4 milionë ndjekës në Facebook. Nga ana tjetër, kryedemokrati Basha, me 610 mijë të tillë.

E vetmja gjë që ka mbetur të shohim, është nëse realisht, edhe këtë herë, Facebook do të parashikojë saktësisht fituesin e zgjedhjeve të 25 prillit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore