Shqipëria

3 Maj: Ndrydhja e shtypit të lirë është intensifikuar


3 Maj. Është Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit.

Por, çka kërkohet nga kjo ditë, ende sulmohet e përmbyset. Veçanërisht nga sfera politike.

Panorama, edhe pas kaq vitesh që nga shpallja e ditës në dhjetor 1993, mbetet e zymtë.

Sulmet politike ndaj lirisë së shtypit – duke përfshirë ndalimin e gazetarëve, shtypjen e mediave të pavarura dhe përhapjen e gjerë të dezinformatave – janë intensifikuar ndjeshëm vitin e kaluar.

Kështu rezulton sipas Indeksit vjetor të Lirisë së Shtypit të publikuar nga Reporterët pa Kufij (RSF).

Në një vit kur më shumë se gjysma e popullsisë së botës do të shkojë në votime në zgjedhje demokratike, indeksi tregon një rënie të përgjithshme të lirisë së shtypit në nivel global dhe një rritje të madhe të shtypjes politike të gazetarëve dhe organeve të pavarura të medias.

“RSF sheh një rënie shqetësuese në mbështetjen dhe respektin për autonominë e medias dhe një rritje të presionit nga shteti apo aktorë të tjerë politikë”, ka thënë Anne Bocandé, drejtore editoriale e RSF.

“Shtetet dhe forcat e tjera politike po luajnë një rol në rënie në mbrojtjen e lirisë së shtypit. Kjo pafuqi ndonjëherë shkon paralelisht me veprime më armiqësore që minojnë rolin e gazetarëve, apo edhe instrumentalizojnë median përmes fushatave të ngacmimit apo dezinformimit”.

Në Evropë, indeksi tregoi se Rusia zbriste në radhët e vendeve që shtuan sulmet ndaj lirisë së shtypit për atë që RSF e quan “kryqëzatën” kundër gazetarisë së pavarur.

Më shumë se 1 mijë e 500 gazetarë rusë kanë ikur jashtë vendit që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022.

Javën e kaluar po ashtu, një raport nga Unioni i Lirive Civile për Evropën me bazë në Gjermani paralajmëroi se liria e shtypit është “afër pikës së thyerjes” në disa vende evropiane.

Nga ana tjetër, RSF paraqiti gjithashtu një pamje të zymtë të përdorimit në rritje të inteligjencës artificiale, duke e quajtur “shqetësues” përdorimin e saj në arsenalin e dezinformatave për qëllime politike, me falsifikime të thella që përdoren për të ndikuar në rrjedhën e zgjedhjeve.

Gjithashtu raportimi për luftën kundër natyrës po rezulton gjithnjë e më i rrezikshëm. Dyzet e katër gazetarë janë vrarë për mbulimin e historive mjedisore gjatë 15 viteve të fundit, sipas një raporti të veçantë nga UNESCO.

3 Maji

Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në dhjetor 1993, pas rekomandimit të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s.

Prej asaj kohe, 3 Maji, përvjetori i Deklaratës së Windhoek festohet në mbarë botën si Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit.

Edhe pas kaq vitesh – lidhja historike e krijuar midis lirisë për të kërkuar, për të dhënë dhe për të marrë informacion – vlerësohet se mbetet po aq e rëndësishme sa ishte në kohën e nënshkrimit të saj.

3 maji shërben si një kujtesë për qeveritë për nevojën për të respektuar angazhimin e tyre për lirinë e shtypit.

Po ashtu është një ditë reflektimi mes profesionistëve të medias për çështjet e lirisë së shtypit dhe etikës profesionale.

Është një mundësi për të respektuar parimet themelore të lirisë së shtypit; për të vlerësuar gjendjen e lirisë së shtypit në mbarë botën dhe për të mbrojtur mediat nga sulmet ndaj pavarësisë së tyre.

“Reporterët Pa Kufij”: Liria e shtypit në Shqipëri po kërcënohet nga politika

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore