Lajme

Diplomatët që po zhvendosen në Aeroportin e Kabulit, evakuime të tjera nga Afganistani


Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Një zyrtar amerikan thotë se diplomatët amerikanë në Afganistan po zhvendosen nga ambasada në Kabul në aeroport, teksa talebanët po hyjnë në kryeqytet.

Zyrtari thotë se helikopterët ushtarakë po lëvizin midis kompleksit të ambasadës dhe aeroportit, ku një prani kryesore do të mbetet për aq kohë sa të jetë e mundur, duke pasur parasysh kushtet e sigurisë.

Gjermania

Gjermania po dërgon avionë transporti ushtarak në Kabul për të filluar evakuimin e stafit të ambasadës së saj të hënën.

Agjencia gjermane e lajmeve “dpa” raportoi të dielën se misioni do të përfshijë evakuimin e stafit afgan që punon për ambasadën gjermane.

Një zyrtar gjerman, duke folur në kushte anonimati pёr agjencinё mediatike “The Associated Press” tha se operacioni do tё mundёsohej pёrmes parashutistëve.

Italia

Mediat italiane raportuan të dielën se shumica e personelit në Ambasadën Italiane në Kabul po transferohet në aeroportin e kryeqytetit afgan, duke u përgatitur për evakuim.

Raporti i së dielës nga agjencia mediatike “Corriere della Sera” tha, se masa prek rreth 50 punonjës italianë dhe 30 punonjës afganë dhe familjet e tyre, së bashku me policinë paramilitare të Karabinierëve që mbrojnë ambasadën.

Ministria e Jashtme konfirmoi se stafi po transferohej në aeroport, pasi kombet e tjera ishin në proces, por nuk mund të jepte numra ose kohë.

Ministri italian i Mbrojtjes tha se 228 afganë dhe familjet e tyre janë transferuar tashmë në Itali, duke e quajtur një “detyrë morale” mbrojtjen e atyre që kishin punuar me Italinë.

Agjencia italiane “LaPresse” raportoi se një fluturim me stafin e ambasadës italiane do të nisej nga Kabuli të dielën në mbrëmje.

Rusia

Agjencia shtetërore e lajmeve ruse raportoi të dielën se talebanët premtuan të garantojnë sigurinë e ambasadës ruse në Kabul.

Tass citoi Suhail Shaheen, një zëdhënës i zyrës politike të talebanëve, të ketë thënë se organizata ka “marrëdhënie të mira me Rusinë” dhe se do zbatojё njё “politikë për të siguruar mbrojtjen dhe funksionim e ambasadave ruse dhe të tjera”.

I dërguari i Kremlinit për Afganistanin tha të dielën, se nuk ka plane për të evakuuar ambasadën ruse në Kabul. Zamir Kabulov i tha agjencisë së lajmeve Interfax se ambasadori rus dhe stafi i tij “po kryejnë me qetësi detyrat e tyre”.

Raportet erdhën ndërsa luftëtarët talebanë hynë në Kabul pas një sulmi njëjavor përpara tërheqjes përfundimtare të trupave amerikane dhe të NATO-s. Talebanët thanë se nuk planifikojnë të marrin kryeqytetin me forcë.

Mbretëri e Bashkuar

Mediat britanike po raportojnë se ambasadori i MB-sё në Afganistan do të dëbohet nga vendi deri të hënën në mbrëmje mes frikës se talebanët mund të kapin aeroportin së shpejti.

Zyra e Jashtme kishte menduar që Laurie Bristow dhe një ekip i vogël zyrtarësh të qëndronin në aeroport me diplomatë të tjerë ndërkombëtarë. Por agjencia mediatike “Sunday Telegraph” raportoi se largimi i tyre ishte realizuar. Zyra e Jashtme nuk pranoi koment.

Javën e kaluar ministria e Mbrojtjes tha se 600 trupa britanike ishin vendosur në Kabul për të ndihmuar evakuimin e rreth 3 mijё shtetasve britanikë dhe rreth 2 mijё afganëve që punonin me forcat britanike.

Një avion i tipit “Hercules” i Forcave Ajrore Mbretërore u raportua tё kishte dalë nga aeroporti ditёn e shtunë.

Sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace mbrojti lëvizjen e Britanisë për të tërhequr trupat nga vendi. Duke shkruar në Sunday Telegraph, ai tha se Britania “nuk e ka tradhtuar Afganistanin”.

Ai shkroi se MB-ja nuk mund të “vazhdonte vetëm” pasi SHBA-tё njoftuan planet e tёrheqjes.

“Do të ishte arrogante të mendoje se mund ta çlironim Afganistanin në mënyrë të njëanshme”, tha ai.

Pakistan

“Pakistani ka mbyllur pikën kufitare Torkham me Afganistanin pasi talebanët morën kontrollin e objektit kufitar”, tha të dielën ministri i brendshëm.

Ahmed i tha televizionit lokal “Geo” se kufiri u mbyll kur policia afgane iu dorëzua talebanëve.

Ahmed tha se pika kufitare Chaman me Afganistanin mbetet e hapur.

Pakistani tashmë ka deklaruar se nuk mund të mbajë asnjë ngarkesë të refugjatëve të rinj afganë pas krizës në vendin e shkatërruar nga lufta.

Republika Çeke

Udhëheqësit çekë kanë miratuar një plan për të evakuuar punonjësit afganë në ambasadën çeke në Kabul.

Çekët kanë  evakuuar tashmë diplomatët e tyre nga ambasada, duke i transportuar ata në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit.

Ministri i Jashtëm çek, Jakub Kulhanek u shpreh tё dielёn se punonjësit afganë rrezikojnё të “vdesin dhe tё torturohen” nëse qëndrojnë, duke shtuar, se Çekia nuk mund ta lejojё diçka tё tillё.

Ministri i Mbrojtjes Lubomir Metnar tha se çekët do të ndihmojnë afganët që punuan me trupat çeke gjatë vendosjes së tyre në misionet e NATO -s.

Metnar deklaroi se vendi i tij është gati të kujdeset për përkthyesit afganë dhe familjet e tyre.

Fluturimet e evakuimit u njoftua se do të realizohen në ditët në vijim.

Shqipëria

Kryeministri i Shqipërisë thotë se vendi i tij do të strehojë përkohësisht qindra afganë që punuan me forcat ushtarake paqeruajtëse perëndimore dhe tani janë të kërcënuar nga talebanët.

Në faqen e tij në median sociale Facebook, Edi Rama tha se qeveria amerikane i kishte kërkuar Shqipërisë që të shërbente si “vend tranzit për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë që kanë Shtetet e Bashkuara si destinacionin e tyre përfundimtar”.

“Pa dyshim që ne nuk do të themi jo”, tha Rama.

Ai shtoi se qeveria shqiptare gjithashtu i është përgjigjur pozitivisht kërkesave të dy OJQ -ve amerikane për të strehuar qindra intelektualë afganë dhe gra aktiviste të cilët janë kërcënuar me ekzekutim nga talebanët.

Kryeministri shqiptar tha se vendi i tij qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara “jo vetëm kur ne kemi nevojë për to për problemet tona, por edhe kur ata kanë nevojë për ne, në çdo kohë”.

Uzbekistan

Rojet nё Uzbekistan ndaluan grupin e ushtrisë afgane kur po tentonin tё kalonin kufirin. Grupi përfshinte tre ushtarë të plagosur që kishin nevojë për ndihmë mjekësore, burrave iu ofrua ushqim dhe akomodim i përkohshëm në Uzbekistan, teksa ministria qёndroi në kontakt me zyrtarët afganë pёr kthimin e ushtarëve afganë në vendin e tyre.

Njoftimi erdhi të dielën kur luftëtarët talebanë hynë në Kabul pas një sulmi njëjavor përpara tërheqjes përfundimtare të trupave amerikane dhe të NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore