Shqipëria

Dilema e borxhit publik


Ministrat e financave kudo në botë po ndeshen me të njëjtën dilemë: edhe sa kohë do të duhet të mbështesin ekonominë pa rrezikuar borxhin publik?

Fakti që edhe në Zvicër ka debat për këtë çështje tregon sa e nxehtë është tema. Tradita atje, e sanksionuar në kushtetutë për të ruajtur një nivel të ulët të borxhit, është më e pasigurt se kurrë në kushtet e krizës që po vijon.

Sinjale të tjera të stimujve për të ringritur ekonominë në kurriz të borxhit, vijnë edhe nga përtej Atlantikut. Krahasuar me Bashkimin Evropian, paketa fiskale e SHBA-ve është e fuqishme dhe synon një ndërhyrje gjithëpërfshirëse në ekonomi.

Megjithatë, BE-ja nuk është e vetmja instancë prej ku udhëhiqet ringritja ekonomike në Evropë. Shtetet anëtare e kanë masën e tyre të diskrecionit për të vendosur për fatin e tyre. Ata po përcaktojnë vetë strategjitë e tyre politike dhe ekonomike të rimëkëmbjes, me sektorët e ekonomisë që do të mbështeten dhe vlerën e parave që do të injektohen.

Më poshtë janë stimujt që kanë planifikuar tre vende të BE-së për daljen nga kriza.

Gjermania

Lokomotiva e zhvillimit ekonomik evropian ka qëndruar e tillë edhe me nivelin e shpenzimeve. Gjermania ka prezantuar në qershor të 2020-s një paketë mbështetjeje financiare prej 130 miliardë eurosh, ekuivalente me 4% të PBB-së së vendit.

Fokusi i këtij vendi është në rritjen e kërkesës së brendshme, duke ulur TVSH-në, duke mbështetur bizneset e vogla dhe duke rritur shpenzimet publike në investime të gjelbra, digjitalizimit dhe në fushën e shëndetësisë.

Paketa mbështet me pagesa mujore bizneset e goditura nga kriza, deri në masën 75% të fitimeve para pandemisë.

Masa të tjera përfshijnë dhënien e një pagese shtesë të ndihmës sociale dhe një pagesë shtesë për mbështetjen ndaj fëmijëve.

Kurzarbeit është skema, e cila ka marrë lëvdatat më të shumta mes shumë masave të pandemisë. Skema lejon punëdhënësit të shkurtojnë orët e punës për punëtorët e tyre, duke i paguar vetëm për orët që kontribuojnë, me shtetin që merr përsipër pagesën e pjesës së mbetur.

Në këtë mënyrë janë shpëtuar më shumë se 6 milionë vende pune gjatë pandemisë, si dhe është ruajtur lidhja e punëtorëve me vendet e tyre të punës.

Franca

Qeveria franceze e ka mendjen të ndarë kur vjen puna te debati i borxhit dhe ndihmës financiare. “Nuk e çojmë ndër mend të ndalojmë në mënyrë të menjëhershme mbështetjen, e cila ka shpëtuar dhjetëra mijëra biznese dhe vende pune”, është shprehur ministri i Ekonomisë, Bruno Le Maire.

Në planin fiskal për vitet 2020-2022, masat e rimëkëmbjes janë në vlerën e 26% e PBB-së së vendit. Ashtu si Gjermania, dhe në linjë me BE-në, masat përqendrohen në rimëkëmbje të gjelbër e digjitale. Franca synon gjithashtu të fokusohet në rritjen e konkurrencës dhe përmirësimin e aftësive në punë.

Së fundmi, Franca ka prezantuar një plan sa inovator, aq dhe të guximshëm, i cili në rast suksesi mund të shndërrohet në udhërrëfyes për të gjithë BE-në. 20 miliardë euro janë dedikuar për bizneset e vogla dhe të mesme në formën e kredive. Fondi do të bëjë bashkë sektorin publik dhe atë privat, duke i vendosur në pozicionin e huadhënësve dhe investitorëve.

Skema e punësimit në Francë, e zgjatur të paktën deri në fund të marsit, paguan 83% të pagave të punonjësve. Në sektorë si turizmi, kultura apo transporti, shteti mbulon 100% të pagave.

Italia

Situata e këtij shteti është ndoshta më delikatja. Një tkurrje prej 9% e ekonomisë gjatë pandemisë, solli rritjen e borxhit tashmë të lartë në 155%.

Ardhja e një qeverie të unitetit në Itali ka qetësuar shumëkënd që nuk kishte besim tek aftësia politike në përcaktimin e strategjisë së rimëkëmbjes.

Qeveria e re italiane do të disbursojë 32 miliardë euro në mbështetje të të larguarve nga puna dhe kompanive që janë goditur më shumë nga kriza. Megjithatë, kjo masë do të jetë e pamjaftueshme dhe do të kërkohen më shumë fonde, të cilat do të financohen me borxhin publik.

130 miliardë euro janë shpenzuar tashmë si stimuj për rimëkëmbjen e ekonomisë, ekuivalentja e 5.5% të PBB-së.

Për sa u përket skemave të punësimit, qeveria e re e Draghi-t është në udhëkryq. Një urdhër që ndalon pushimet nga puna, skadon në fund të marsit, dhe vendimi nëse do të vijohet me të, do të ristrukturohet apo do të hiqet, duhet të merret sa më shpejt.

Shqipëria

Në fund do të kthejmë vështrimin edhe te gjendja me stimujt strategjikë të implementuar në vendin tonë.

Aftësitë e Shqipërisë për të kryer ndërhyrje strukturore në ekonomi janë afërmendsh më të limituara se ato të vendeve të BE-së. Megjithatë, dilema e borxhit që shtruam në fillim, është aktuale edhe për znj. Denaj.

Goditja e pandemisë ndoqi atë të mëhershmen nga tërmeti. Nevoja për të rikuperuar dëmet infrastrukturore në zemrën ekonomike të vendit, e gjeti qeverinë në tregjet financiare, duke kërkuar për grante e kredi.

Masat ndaj efekteve të pandemisë synonin të rrisin likuiditetin dhe të mbështesin biznesin, i cili u godit nga pezullimi i aktivitetit tregtar. Dy garanci sovrane, në masën 26 miliardë lekëve (rreth 210 milionë euro) u vunë në dispozicion të bizneseve. Deri më 29 janar, sipas statistikave nga Ministria e Financave, janë disbursuar më shumë se 14 miliardë.

Gjithashtu janë shpërndarë të ashtuquajturat “pagat e luftës” për 300.000 të punësuar, por pa ia dalë dot të frenojnë mbylljen e ndjeshme të vendeve të punës. Pesha në buxhet vlerësohet në rreth 100 milionë euro.

Masat e marra specifikisht për situatën e biznesit të vogël do të kenë gjithashtu efektet e tyre në buxhet dhe, për pasojë, edhe te borxhi publik.

Borxhi publik i Shqipërisë është në masën 77.8% në këto momente dhe qeveria ka premtuar që do t’i rikthehet trajektores zbritëse në vitin 2021.

Cilat do të jenë instrumentet që do të përdorë qeveria (e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit) për të stimuluar ekonominë që po lëngon, janë akoma të panjohura. Ajo që është e sigurt, është se ato do të lidhen ngushtësisht, si në çdo vend tjetër, edhe me strategjinë për trajektoren e ardhshme të borxhit publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore