Bota

Rruga e zgjedhur nga Evropa për rimëkëmbjen do ta lërë një vit pas SHBA-ve


Teksa Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke zbatuar një paketë të fuqishme e gjithëpërfshirëse stimujsh fiskalë, Bashkimi Evropian është treguar më pak agresiv.

Paketa prej 1.9 trilionë dollarësh e rimëkëmbjes në SHBA është më shumë se trefish më e lartë se ajo prej 750 milionë eurove (910 miliardë dollarë) në BE.

Përveçse ndjeshëm më e ulët, paketa mbështetëse ka mungesë të theksuar të zhdërvjelltësisë në implementim. Kjo është një pasojë direkte e fragmentimit që ka Unioni i përbërë nga 27 shtete sovrane, me sisteme të ndryshme fiskale dhe politika të ndryshme ekonomike.

Pas diskutimeve të zgjatura e të tensionuara për miratimin e paketës, tani po diskutohen akoma propozimet se si do të përdoren këto para. Me gjasë, shpërndarja e parave nuk do të fillojë deri në gjysmën e dytë të vitit.

Megjithatë duhet theksuar se iniciativa që ka ndërmarrë BE-ja është e paprecedentë. Për herë të parë është vënë në dispozicion një shumë e tillë, e cila do të mbështetet edhe nga borxhi në emër të Unionit. 

Paketa e rimëkëmbjes do të jetë komplementare me buxhetin shtatëvjeçar të BE-së prej 1.1 trilionë euro. Procesi reflekton maturi edhe sepse duhet të jetë i sinkronizuar me objektivat e buxhetit për shtatë vitet e ardhshme. 

Objektivat ambicioze synojnë të sjellin modernizim duke digjitalizuar ekonominë dhe luftuar ndryshimet klimatike.

Megjithëse paketa është një masë që cilësohet e përkohshme dhe ad-hoc, Banka Qendrore Evropiane synon që kjo të jetë fillesa e unifikimit fiskal të BE-së. Kjo strukturë do të ishte ekuivalentja e buxhetit federal të SHBA-ve, e cila e lejon këtë të fundit të ndërmarrë masa stimuluese të fuqishme, si ajo në zbatim.

Por edhe pse ka marrë kohë për t’u konsideruar, ka mes atyre që janë skeptikë se masat e marra jane të vakëta. Mënyra që kanë zgjedhur për t’i shpenzuar këto para, do të prodhojë papunësi, inflacion të dobët dhe probleme ekonomike, thotë Erik Nielsen në një raport për këtë çështje. 

Sipas tij, shuma në paketën e rimëkëmbjes nuk reflekton potencialin ekonomik të BE-së. Evropa duhet të bëjë më shumë për të nxitur ekonominë.

Edhe Fondi Ndërkombëtar Ndërkombëtar ka vlerësuar më herët se mungesa në Prodhimin e Brendshëm Bruto krahasuar me potencialin, ishte 3,2% në SHBA dhe 5,1% në BE për vitin 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore