Shqipëria

Rama: Plani i Investimeve i KE-së, instrument kyç për mandatin e tretë


Rama mbajti sot konferencën e radhës me gazetarët për çështjet ekonomisë. Kryeministri iu përgjigj mes të tjerave edhe interesit të Albanian Post për fondet e BE-së dhe trajektoren e ardhshme të borxhit.

Kryeministri Rama sqaroi situatën me fondet e vëna në dispozicion nga Komisioni Evropian në kuadër të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së në Ballkanin Perëndimor (BP). 

Struktura e investimeve përfshin 8 miliardë në formën e granteve, 1 miliard si fond për të garantuar kreditë. 20 miliardë të tjera, janë si kredi për BP-në. Ndarja do të jetë në tre shtylla: infrastrukturën në funksion të ndërlidhshmërisë – rrugë, hekurudha dhe porte -, energjia dhe digjitalizimi. 

“Ne jemi shumë të përqendruar te ky plan. Ky plan do të jetë një nga instrumentet e mandatit të tretë dhe të Shqipërisë 2030, patjetër” theksoi z. Rama. 

Ai gjithashtu zbërtheu angazhimin e shtuar nga qeveria për të qasur këto fonde. Në funksion të këtij qëllimi, është ngritur një ekip i posaçëm i cili do të plotësohet dhe me një rrjet konsulentësh të huaj. Struktura do të jetë në krye të punës për të hartuar planet e projekteve që do të paraqiten. 

Kryeministri shprehu kënaqësinë edhe për nivelin e lartë të bashkëpunimit të projekteve ekzistuese me Western Balkans Investment Framework (WBIF)*. 

Ai zbuloi se më 1 mars do të udhëtojë në Bruksel për të takuar Komisionerin e Zgjerimit,  Olivér Várhelyi-n. Në fokus të diskutimeve do të jetë pikërisht Plani Ekonomik dhe i Investimeve në BP, për të cilin z. Rama u shpreh shpresëplotë se do të prodhojë rezultate.

Kryeministri solli në kujtesë që plani është shumë sfidues sepse kërkon kapacitete të mëdha dhe ndërveprim të lartë rajonal me qeveritë e tjera në BP. 

Borxhi publik

Në vijim, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj konfirmoi për Albanian Post angazhimin për të mbajtur trajektore rënëse të borxhit publik në vitin 2021. 

Në mbështetje të angazhimit të digasterit që drejton, Znj. Denaj iu referua ndryshimit në ligjin organik të buxhetit në korrik të vitit të kaluar. 

Neni i ri detyron qeverinë t’i përmbahet politikave shtrënguese të borxhit deri në vitin 2023. “Shtesa në ligj për vitin 2023, kërkon që balanca primare të jetë pozitive. Ky term teknik përkthehet në konsolidim fiskal dhe ulje të borxhit” u shpreh znj. Denaj.

Ajo i theksoi se është një objektiv i hershëm i qeverisë socialiste që të mbahet një trajektore zbritëse e borxhit, e cila arriti ta ulte deri në masën 66,3% në 2019 para tërmetit. Konsolidimi sipas saj, vërhet qartë krahasuar me nivelin 72% në 2013.

Trajektorja rënëse do të ndihmohet edhe nga rritja ekonomike dhe rritja e të ardhurave të parashikuara, por “konsolidimi është angazhim juridik formal”, përmbylli ministrja.

 

*WBIF- Korniza e Investimeve e Ballkanit Perëndimor është një mekanizëm i krijuar nga Komisioni Evropian dhe institucione të tjera donatore në BP, me qëllimin që të rakordojë investimet, zgjerimin dhe zhvillimin social në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore