Shqipëria

Biznesi i vogël dhe rropatjet për mbijetesë


Pandemia është një çështje sa shëndetësore, aq edhe ekonomike dhe sociale. E, në kushtet kur anormaliteti vijon të jetë e përditshmja, mbijetesa është metafora e momentit.

Të ndaluarit e aktivitetit ekonomik ishte sigurisht një lëvizje e guximshme, e vetmja e sigurt ndaj pasigurisë me të cilën haseshim.

Strategjitë do të ishin për një moment të dytë, kur të davaritej emergjenca shëndetësore dhe të duhej të mendonim për rifillimin. Por situata u zgjat, ringritja u shty dhe, për pasojë, edhe strategjitë u rishikuan për t’u përshtatur me kufizimet.

Krizat godasin më shumë më të dobëtit. Kur ekonomia kolapson në nivel global, tkurrja merr nga pasuritë e atyre që kanë më pak, duke rritur kështu hendeqet mes të pasurve e të varfërve.

Biznesi i vogël në Shqipëri është shtylla kurrizore e ekonomisë dhe punësimit, duke kontribuar me 7,2% në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Por, në të njëjtën kohë, është edhe fasha më e brishtë e biznesit, duke ndjerë e para dhe në mënyrë më direkte luhatjet në ekonomi.

Një vrojtim i Albanian Post te bizneset e vogla në Tiranë, na shtyu të hulumtonim problematikat e kësaj kategorie. Mes ushqimoreve, restoranteve, dyqaneve të rrobave, agjencive turistike e lokaleve të natës, ka një emërues të përbashkët: rënia drastike e xhiros ditore. Situata u imponon atyre zgjedhjen e njërës mes mbylljes së bizneseve të tyre, apo të shtrënguarit të dhëmbëve për të mbijetuar me shpresën se situata do të tejkalohet.

Enio Civici, ekspert i ekonomisë, vlerëson se tre janë aspektet kryesore në të cilat është goditur biznesi i vogël: kufizimi i orarit të veprimtarisë tregtare, dobësimi i vazhdueshëm i kërkesës konsumatorë, si dhe niveli i lartë i pasigurisë për të parashikuar investimet. Sipas tij, përllogaritet se si pasojë direkte e pandemisë, ka një rënie prej 65% të xhiros vjetore në bizneset e vogla dhe një përgjysmim të forcës punëtore në to.

Momentin e vështirë që po kalon biznesi i vogël, na e konfirmon edhe kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm (BVM), Shpëtim Agolli. “Pandemia solli pasoja të mëdha për ekonominë e vendit, por sidomos për BVM”, na tregon Agolli. “Biznesi vazhdon akoma dhe sot të qarkullojë vetëm 35-45% krahasuar me vitin 2019”, vijon ai.

Sipas vlerësimit të shoqatës që ai kryeson, 35 mijë biznese mbyllën aktivitetet në muajt mars-maj dhe me mijëra punonjës u pushuan nga vendet e tyre të punës.

Kërkesat

Viti nisi me përjashtimin e biznesit të vogël nga barra e tatimit mbi fitimin dhe TVSH-së, masë, e cila është mirëpritur nga të gjithë aktorët. Civici evidenton se mungesat në buxhet do të përbëjnë vetëm 8%, shifër kjo më se e përballueshme për buxhetin.

Megjithatë, ai na fton të konsiderojmë edhe efektin negativ të paralajmëruar më herët nga ekspertët e Bankës Botërore, se “përjashtimi nga taksat dhe nga zinxhiri i vlerës tregtare, konsideruar këtu dhe vështirësitë që po kalojnë nga pandemia, do të sjellë një rritje të aktivitetit informal të tyre”.

Deri në momentin që flasim, kjo përbën edhe masën më të fortë të ndërmarrë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) për të ndihmuar biznesin në menaxhimin e situatës.

Megjithatë, sipas të gjitha gjasave, menaxhimi nuk do të jetë i mjaftueshëm dhe do të duhen stimuj për të ringritur aktivitetin e bizneseve të vogla. Mbështetja prej 100 milionë eurosh për pagën e (luftës) punonjësve dhe garancia sovrane janë një fillim i mirë, por jo i mjaftueshëm.

Për Agollin, stimuj domethënës për biznesin do të ishin pagesat direkte të gjysmës së qirasë, rimbursimi i tarifave të karburantit dhe energjisë elektrike, si dhe marrëveshje me pushtetin lokal për uljen e taksave vendore.

Civici bie gjithashtu dakord se sektori ka nevojë për mbulim të arsyetuar të kostove për të mos humbur forcën e kualifikuar punëtore. Ai shton se është jetik edhe “ofrimi i trajnimit për të realizuar përshtatjen teknologjike që kërkohet në konkurrencën e shekullit të XXI”.

Sa fleksibël janë bizneset e vogla për t’u përballur me kushtet e pandemisë?

Varësisht prej përgjigjes së kësaj pyetjeje, përcaktohet në një masë të lartë mbijetesa e sipërmarrjeve nëpër botë gjatë pandemisë. Teksa ka qenë faktor i rëndësishëm edhe para pandemisë, përgjatë saj ka marrë vëmendje më të shtuar. Nxitje teknologjike, trajnime e mekanizma janë vënë në dispozicion të sipërmarrjeve nëpër botë për t’i bërë ato më elastike në aktivitetin e tyre.

Në Shqipëri kemi një panoramë tjetër. Ndoshta sepse teknologjia “ende nuk gëzon ‘popullaritetin’ e nevojshëm” sipas Civicit, apo se “nuk ka patur mbështetjen e duhur nga organet kompetente” sipas Agollit, porse faktet tregojnë se biznesi vendas nuk i ka patur kapacitetet për t’iu përshtatur situatës.

Burime zyrtare nga MFE-ja na bënë me dije se janë në fazë projektimi mekanizma për nxitjen e tranzicionit drejt digjitalizimit të ekonomisë. Një projektvendim për planin e veprimit dhe zhvillimit të tregtisë elektronike është duke u përgatitur nga një grup ndërinstitucional. Plani synon të rregullojë e, për pasojë, të nxisë tregtinë online në vendin tonë.

Siç e tregon edhe raporti i publikuar nga INSTAT për vitin që shkoi, përdorimi i shitjeve online është në nivele të ulëta në Shqipëri. Megjithatë, transformimi që kërkohet, ka parasysh digjitalizimin e shumë segmenteve të të bërit biznes, dhe se aksesi në tregje digjitale është vetëm njëri prej tyre.

Klima e të bërit biznes

Raporti “Doing Business” i Bankës Botërore për vitin para pandemisë, e renditi Shqipërinë në vendin e 82-të, përkeqësim me 19 vende nga 2018. “Shqipëria radhitet në vendet e fundit në Europë për sa i përket konkurueshmërisë dhe lehtësirave të të bërit biznes”, konstaton Agolli.

Ne iu drejtuam MFE-së për pozicionin e tyre mbi këtë çështje. Strategjikisht folur, ministria e ka në fokus këtë tregues. Plani i tyre sinkronizon strategjinë kombëtare të zhvillimit të biznesit me atë të Ballkanit Perëndimor.

“Strategjia e zhvillimit është e bazuar në tri shtylla kryesore: tërheqjen e investimeve, zhvillimin e BVM-sipërmarrjes-inovacionit, dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor”, na komunikojnë zyrtarë të MFE-së.

Një projektligj për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve inovative ka për qëllim mbështetjen dhe favorizimin e bizneseve të reja në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Projektligji do të përmbajë lehtësira fiskale, programe e masa mbështetëse dhe planin për krijimin e një eko-sistemi të favorshëm në Shqipëri.

Problematika me kalimin në statusin “pasiv”

Matja më e mirë e efekteve të pandemisë në ekonomi është pamja e rrugëve me pak qarkullim e me shumë qepena të ulura.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave na tregojnë se në muajt e pandemisë, nga marsi 2020 deri në fund të shkurtit 2021, kanë kaluar me status pasiv 10,666 biznese. Numri është me rritje prej 5,038 nga e njëjta periudhë e një viti më parë.

Megjithatë, Agolli pretendon se shifra nuk reflekton nivelin e vërtetë të bizneseve që kanë ndaluar aktivitetin për shkak të një ndryshimi në ligj të vitit 2018. Ligji tanimë i ndalon bizneset me detyrime të ndryshojnë statusin nga aktiv në pasiv, pa shlyer më para detyrimet në institucione.

MFE-ja e mbrojti politikën e vet duke sjellë në vëmendje se, me anë të këtij ndryshimi, është synuar që “të mbyllet shtegu për kalimin në regjistrin pasiv të një aktiviteti sa herë që evidentohet detyrime tatimore të papaguara duke mos lejuar shtimin e nivelit të borxhit të pambledhshëm”.

Deri në zbardhjen e statistikave nga organet kompetentë, matjet do të mbeten të paplota dhe për pasojë edhe masat për të korrektuar fenomenet negative.

Kur kriza shëndetësore të fashitet, mundësuar prej vaksinimit, do të mbetemi vetëm me derivatet e saj dhe të përpjekjeve për ta menaxhuar atë.

Masat e marra sot për cilësinë e aktivitetit tregtar të biznesit të vogël, do të projektohen nesër në nivelin e rimëkëmbjes së ekonomisë në të gjithë vendin. Panorama e ecurisë deri tani, me mundësitë e masat e ndërmarra, por edhe me ritmin e vaksinimit, nuk lë vend për shumë optimizëm.

Megjithatë, treguesit ndryshojnë shpejt, dhe optimizmi i tregjeve dhe i komuniteteve është faktori që ka potencialin të rezultojë më i fuqishëm se shumë masa të marra së bashku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore