Kosova

Dialogu i dytë – sërish – pa dialog


Takimi i dytë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

Kurti pas takimit tha se i kishte propozuar Vuçiç-it një marrëveshje të paqes, por u refuzua pa u lexuar.  Ndërkaq Vuçiç theksoi se dakordimi mes dy palëve ka qenë i pamundur të hënën.

“Unë sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene, si një deklaratë e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Atë që kisha kërkuar herën e kaluar, që të kemi një deklaratë të paqes, e kam përgatitur në mënyrë të balancuar me një tekst me 6 nene, por u refuzua ende pa u lexuar”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, diçka e tillë “ka treguar një mosgatishmëri për marrëveshjen, meqenëse u refuzua pa u lexuar”.

Ai theksoi se pas takimit me presidentin serb, këtij të fundit ia ka ofruar tri libra që flasin për gratë e përdhunuara gjatë luftës, listën e 1.113 fëmijëve të vrarë dhe “Dosjen Britanike”, për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit.

“Për dallim nga ndërmjetësi i takimit, Josep Borrell, kryetari i Serbisë nuk i mori tre librat që ia dhashë: rrëfime të grave të përdhunuara në Kosovë gjatë luftës, listën e 1.133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të pagjetur, dhe librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike” për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit”.

Pas takimit Vuçiçka thënë nga ana tjetër se dakordimi mes dy palëve ka qenë i pamundur.

Duke iu referuar kryeministrit Kurti, ka thënë se ky i fundit e ka akuzuar Serbinë për tri gjenocide ndaj shqiptarëve.

“Ishin tri pika: Të intensifikojmë përpjekjet e përbashkëta për identifikimin e personave të zhdukur, të përmbahemi nga gjërat që mund të eskalojnë situatën dhe që dialoguesit të takohen rregullisht. Qëndrimi i tyre ishte se Serbia është fajtore për tri gjenocide ndaj shqiptarëve në Kosovë. Gjithçka po sillet rreth shtyrjes së Serbisë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës”, ka thënë presidenti serb, raporton B92.

Po ashtu, Vuçiç ka akuzuar kryeministrin Kurti se, gjatë gjithë kohës “ka insistuar për gjëra që nuk kishte pajtimin e Serbisë dhe Bashkimit Evropian”.

“Herën e fundit që ishim në Bruksel, mendova se ishte e pamundur të bëhej një takim më i keq, sot u binda se është e mundur”.

Ndërkaq Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se atmosfera në takimin e së hënës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishte “e tensionuar”.

“Takimi ishte i vështirë dhe tregoi qasje shumë të ndryshme ndaj normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Për pasojë, sot kemi bërë shumë pak përparim. Janë diskutuar disa propozime konkrete, por rezultati i vetëm që mund të raportoj sot është se dialogu do të vazhdojë”, tha Lajçak pas takimit për REL.

Ai konfirmoi se ekipet negociuese do të takohen në fund të gushtit dhe se takimi i ardhshëm i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë do të mbahet në shtator.

Në anën tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, takimin mes Kurtit e Vuçiç e ka cilësuar “si një takim koti i dialogut Kosovë-Serbi”.

“Secila palë ka veç një interes, që me retorika populiste ta mashtrojë popullin e vet në prag të zgjedhjeve. Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos bëjë asgjë në këtë proces. Ai nuk po do ta kuptojë se, pa përfshirjen e SHBA-ve, dialogu është i vdekur. Ai nuk po ta kuptojë se me Borelin e Lajçakun është në qorrsokak”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Si jo të gatshëm për dialog e ka konsideruar Kurtin, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

“Po i mbahet qëndrimit të shprehur në Prishtinë që takon, bisedon por nuk është i gatshëm ende për të negociuar dhe takimi sot e konfirmoi”, u shpreh Haziri.

“Ka biseda lidhur me formatin dhe agjendën për dialog, për jo substancë. Palët janë ende në nivele populiste, sesa duke u marrë me substancën e problemit”, tha Haziri për Euronews Albania.

Përveç këtij takimi të nivelit të lartë, javën e kaluar është mbajtur edhe takimi i dy delegacioneve të nivelit të ekspertëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore