Lajme

Kurti: Propozova marrëveshje të paqes – u refuzova


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të hënën e 19 korrikut në Bruksel, ka mbajtur një deklaratë për mediat mbi atë çka është diskutuar mes palëve.

Kurti, në fjalën e tij, bëri me dije se kishte propozuar një marrëveshje me 6 pika, por që ajo është refuzuar ende pa u lexuar.

“Unë sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene, si një deklaratë e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Atë që kisha kërkuar herën e kaluar, që të kemi një deklaratë të paqes, e kam përgatitur në mënyrë të balancuar me një tekst me 6 nene, por u refuzua ende pa u lexuar”.

Sipas Kurtit, diçka e tillë “ka treguar një mosgatishmëri për marrëveshjen, meqenëse u refuzua pa u lexuar”.

Ai theksoi se pas takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, këtij të fundit ia ka ofruar tri libra që flasin për gratë e përdhunuara gjatë luftës, listën e 1.113 fëmijëve të vrarë dhe “Dosjen Britanike”, për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit.

“Për dallim nga ndërmjetësi Josep Borrell, kryetari i Serbisë nuk i mori tre librat që ia dhashë: rrëfime të grave të përdhunuara në Kosovë gjatë luftës, listën e 1.133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të pagjetur, dhe librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike” për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit”.

Kurti shkroi në Facebook se “është për të ardhur keq që nuk arritëm të dalim së paku me një deklaratë të përbashkët nga ky takim”.

“Serbia si shtet ka ardhur në mesin e popullsisë shqiptare me gjenocid dhe ka ikur me gjenocid. Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngusht. Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar për paqe dhe drejtësi, për siguri dhe stabilitet, për demokraci dhe progres. Do të jemi të gatshëm për takime e biseda konstruktive, dhe për dallim nga fqinji ynë verior nuk kemi dilema sa i përket integrimeve evropiane dhe euro-atlantike”.

Deklarata  paqes e propozuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti:

Më tej, ai ka thënë se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i lexoi 11 pikat, të cilat Serbia ia ka vendosur Kosovës si barrikada, por sipas tij, përfaqësuesit serbë nuk deshën të dëgjonin për to.

“Ishim dakord që në fund të gushtit të takohen përfaqësuesit e delegacioneve tona dhe në shtator, të ketë takim mes krerëve tanë. Nuk e kuptoj pse duhet t’i frikësohemi ballafaqimit të së kaluarës, kur e dimë që problemet i kemi nga e kaluara. Është për të ardhur keq që nuk arritëm një marrëveshje të përbashkët. Pala serbe e kundërshtoi shumë ashpër atë”.

Duke folur për atmosferën e takimit, kryeministri deklaroi se ishte pothuajse e njëjtë si në mbledhjen e mëparshme, ngase nuk është pranuar togfjalëshi “ballafaqimi me të kaluarën”.

“Duket se kryetari i Serbisë e sheh shumë personalisht këtë punë. Ne kemi angazhuar Andin Hotin për çështjen e të pagjeturve, derisa në Serbi vazhdon të jetë Velko Odalloviçi”, tha më tej ai.

Në përfundim të fjalës së tij, ai ka shprehur keqardhjen se nuk u arrit një marrëveshje për një deklaratë të përbashkët mes palëve.

“Është për të ardhur keq që sot nuk e patëm një dakordim për një deklaratë të përbashkët, me ç‘rast do ta kishim togfjalëshin që e pranoi ndërmjetësuesi Josep Borrel”.

Ky takim ishte i dyti mes Kurtit dhe Vuçiç-it në kuadër të dialogut në Bruksel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore