Lajme

Vuçiç: Pala shqiptare nuk donte të pranonte asgjë


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Pas takimit në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ky i fundit ka thënë se dakordimi mes dy palëve ka qenë i pamundur.

Vuçiç, duke iu referuar kryeministrit Kurti, ka thënë se ky i fundit e ka akuzuar Serbinë për tri gjenocide ndaj shqiptarëve.

“Ishin tri pika, të intensifikojmë përpjekjet e përbashkëta për identifikimin e personave të zhdukur, të përmbahemi nga gjërat që mund të eskalojnë situatën dhe që dialoguesit të takohen rregullisht. Qëndrimi i tyre ishte se Serbia është fajtore për tri gjenocide ndaj shqiptarëve në Kosovë. Gjithçka po sillet rreth shtyrjes së Serbisë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës”, ka thënë presidenti serb, raporton B92.

Po ashtu, Vuçiç ka akuzuar kryeministrin Kurti se, gjatë gjithë kohës “ka insistuar për gjëra që nuk kishte pajtimin e Serbisë dhe Bashkimit Evropian”.

“Herën e fundit që ishim në Bruksel, mendova se ishte e pamundur të bëhej një takim më i keq, sot u binda se është e mundur”.

Ndërkaq, ky ishte raundi i dytë i takimit midis Kurtit dhe Vuçiçit në kuadër të dialogut i ndërmjetësuar nga BE.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borell, ka folur para takimit të dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Borell ka deklaruar se shpreson që ky takim të jetë i frytshëm, në krahasim me të fundit, që nuk pati sukses.

“Dialogu tashmë ka sjellë përfitime reale për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë. Shpresoj që takimi të jetë i frytshëm”, ka thënë Borell gjatë konferencës për media.

Më tej ka treguar se pret që të dy palët të qasen në mënyrë konstruktive dhe pragmatike të këtij dialogu.

Ballafaqimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, datonte më 15 qershor të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore