Kosova

“Dialog me njohjen në qendër” – Kurti e shpjegon pak më shumë e pak më gjatë çfarë nënkupton me këtë fjali


Albin Kurti

E tha së pari të mërkurën në Berlin, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka sqaruar më shumë këtë të enjte çfarë nënkuptoi kur deklaroi se Kosova këmbëngulë për një dialog me Serbinë ku në qendër është njohja.

“Nuk them që njohja duhet të jetë i vetmi element i marrëveshjes, por njohja duhet të jetë në qendër”, tha Kurti para gazetarëve në konferencë për media bashkë me ministren gjermane të Mbrojtjes, Christine Lambrecht, e cila po qëndron për vizitë në Kosovë.

“Do të ketë edhe elemente tjera marrëveshja”, shtoi Kurti, “por ato elemente nuk kanë kuptim pa njohjen”.

Për të mos e lënë veç ne rrafsh semantik, kryeministri e konkretizoi pak më shumë duke deklaruar se “Kosova nuk mund të kthehet para vitit 1999 kur u çlirua. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2008 kur u shpallë pavarësia. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2010 kur u dha vendimi i GJND-së. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2012 kur mbaroi mbikëqyrja e pavarësisë”.

Ai u përsërit në pjesën tjetër të deklarimit të tij para gazetareve, duke ritheksuar se “presidenti i Serbisë (Aleksandër Vuçiç) duhet të distancohet nga (Sllobodan) Millosheviç-i (Vladimir) Putin-i”.

Pa këtë domosdoshmëri të distancimit, është e vështirë të flitet për zgjidhje të problemit dhe normalizim të raportesh, tha Kurti.

Në anën tjetër, ministrja gjermane ishte gjermane në deklarimin e saj.

E prerë dhe konkrete ajo më shumë foli për përkrahjen që Gjermania ia ka dhënë dhe do të vazhdojë t’ia japë Kosovës.

“E kam siguruar palën kosovare se ne qëndrojmë krah Kosovës edhe sa i përket mbështetjes ushtarake”.

“Ne jemi të angazhuar në kuadër të KFOR-it dhe do të vazhdojmë angazhimin tonë edhe më tej”, pohoi Lambrecht, duke bërë të qartë se, mbi gjithçka tjetër, “për mua kjo është me rëndësi”.

“Do të mbetemi partnerë edhe në të ardhmen”, siguroi ministrja.

Ky takim i Kurtit me Lambrecht, vjen vetëm një ditë pas atij me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe darkës, zyrtarisht, joformale me emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak e presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore