Lajme

DGAP: Fokusi i Serbisë në veri të Kosovës, mundësi për Malin e Zi drejt BE-së


Millojko Spajiç

Në një artikull të publikuar nga disa ekspertë të huaj në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie të Jashtme (DGAP) thuhet se Bashkimi Evropian (BE) është duke fituar sërish terren në Ballkanin Perëndimor përmes Malit të Zi, duke marrë parasysh se Rusia është e zënë me sfida të tjera, kurse Serbia e fokusuar në krizën e vazhdueshme në pjesën veriore të Kosovës.

Duke qenë se mjedisi politik në Mal të Zi karakterizohej deri vonë nga një formë e skajshme e polarizimit socio-politik në të cilin partitë pro-ruse dhe pro-serbe gëzonin pushtet të konsiderueshëm, tani është koha që BE-ja ta shfrytëzojë shpërqëndrimin e Rusisë dhe Serbisë për të rifituar vrullin e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, duke filluar nga Mali i Zi.

“BE-ja ka nevojë për një histori suksesi në Ballkanin Perëndimor dhe rajoni vëzhgon nga afër Malin e Zi […] Përveç kësaj, duke qenë se Rusia është e zënë me sfida të tjera dhe Serbia e fokusuar në krizën e vazhdueshme në veriun e Kosovës, për momentin BE-ja është në një avantazh kundrejt prishësve të mundshëm”, konsideruan njohës të çështjeve politike në rajon.

Në analizën e DGAP thuhet se prej momentit kur lideri i lëvizjes centriste “Evropa Tani (PES)”, Millojko Spajiç, u zgjodh për të formuar qeverinë e re të Malit të Zi, një ndjenjë e energjisë pozitive mund të gjendet tani në mesin e udhëheqësve dhe zyrtarëve të vendit, duke sugjeruar se rruga e Malit të Zi drejt BE-së do të jetë shumë më e shpejtë sesa vendet tjera të rajonit.

“Periudha deri në mesin e vitit 2024 do të jetë thelbësore për zbatimin e reformave në Podgoricë dhe reagimin adekuat të Brukselit. Gjithashtu, lëvizjet e tyre do të vëzhgohen nga afër nga Rusia, e cila është e gatshme të shfrytëzojë dobësitë e reja në këtë anëtar të NATO-s që ndodhet në një pozitë strategjike midis Serbisë dhe Bregut të Adriatikut”, vlerësuan ekspertët.

Mali i Zi filloi negociatat e anëtarësimit në BE në vitin 2012. Ky vend ka hapur të 33 kapitujt e negociatave, ndërsa ka mbyllur vetëm tre prej tyre. Vitet e fundit, procesi i anëtarësimit të Mali të Zi ka ngecur për shkak të mungesës së vullnetit politik në njërën anë dhe ndikimit të jashtëm në anën tjetër. Tani Mali i Zi synon të anëtarësohet në BE deri në vitin 2028.

Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij qëllimi. Gjatë vitit të kaluar u çelën negociatat e anëtarësimit për Ukrainën dhe Moldavinë, por gjashtë vendeve ballkanike iu tha të përgatiteshin për t’u bashkuar bllokut evropian deri në fund të dekadës.

Ndryshe, niveli i konvergjencës politike dhe ekonomike mes gjashtë vendeve të rajonit dhe bllokut evropian u vlerësua tejet i ulët për vite me radhë. Në përgjigje ndaj kësaj, nëntorin e vitit të kaluar, institucionet evropiane propozuan krijimin e një instrumenti specifik për financimin e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit të plotë në bllokun e 27 shteteve evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore