Shqipëria

Destinacioni “Vlorë”, për tre fluturakët evropianë


“Të mbrojmë rezervatin unik të natyrës”. Kjo ishte deklarata e ministres holandeze të Mbrojtjes, Ank Bijleveld-Schouten – referuar Shqipërisë dhe më saktësisht Vlorës, e cila ka vuajtur barrën më të rëndë të zjarreve të korrikut.

Ashtu siç u paralajmërua dhe më herët në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes në Holandë, dy gjigantët e transportit Chinook’s mbërritën në Tiranë me një mision të qartë.

Të shtunën e 7 gushtit, së bashku me helikopterin e Republikës Çeke, mjetet e specializuara do të përpiqen të shpëtojnë Llogaranë dhe pasuritë e saj natyrore, apo për të ndaluar dhe mësymjen e zjarrit në Karaburun.

Misioni “Vlora” u bë i qartë që në nisje, pasi sipas deklaratës së ministres holandeze, “Chinooks do të mbushen me ujë nga Gjiri i Vlorës” – për të vijuar më pas me operacionet e tyre të shpëtimit dhe shuarjes së zjarreve.

Kujtojmë që këta helikopterë janë aq të specializuar sa kërkohen gjerësisht për shuarje zjarresh edhe në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Veçantia e tyre qëndron tek fakti që helikopterët mundësojnë ndërhyrjen nga ajri nëpër ato zona ku nuk munden zjarrfikësit, si rasti i Shqipërisë.

Chinook-s janë të pajisur me të ashtuquajturën kovë bambi, duke e bërë të specializuar për shuarjen e zjarreve. Në të vërtetë, kova është një thes fleksibël, që mund të përdoret për të hedhur 10 mijë litra ujë drejt vatrave të zjarrit.

Reagimet

Mjetet u pritën, të premten e 6 korrikut, nga zëvëndësministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici dhe drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako.

Pjesë e pritjes ishin dhe përfaqësues të ambasadave përkatëse dhe shefi politik i delegacionit të Bashkimit Evropian Tiranë, Alexis Hupin.

Bici falënderoi në emër të qeverisë shqiptare dy vendet – Holandën dhe Republikën Çeke – për ndihmën e dhënë në këto ditë të vështira.

Çako vendosi në dukje se situata ka qenë e rënduar veçanërisht në gadishullin e Karaburunit. Pikërisht në kufi me Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Hupin tha se ndihma që vjen nga BE-ja është shenjë e solidaritetit Evropian. Më tej ai tha se, “jemi këtu për të mbrojtur jetët e njerëzve që po preken nga këto zjarre dhe gjithashtu bukuritë e natyrës shqiptare”.

Bashkë me helikopterët, pjesë e ndihmës janë edhe mbi 50 forca ushtarake të specializuara në fushën e emergjencave civile.

Këta të fundit do t’i bashkohen efektivëve shqiptarë që prej ditësh janë në përpjekje të pandërprera për shuarjen e flakëve në disa zona të Shqipërisë.

Mbështetja nga Bashkimi Evropian

Nga situata e krijuar në të gjithë Mesdheun, por jo vetëm, shtetet e prekura nga zjarri kanë kërkuar dhe ndihmën e BE-së.

Paraditen e 4 gushtit komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič, njoftoi se, “Komisioni Evropian është duke u mobilizuar për t’u ardhur në ndihmë vendeve në parandalimin e përhapjes së zjarreve dhe mbrojtjen e jetës”.

Kjo, në kuadër të aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, përshëndeti ndihmën që po i jepet nga Çekia dhe Holanda qeverisë shqiptare, në luftën kundër zjarreve në pyje.

“Ndërsa beteja kundër zjarreve në pyjet e Shqipërisë vazhdon, ekipi Evropian me solidaritet mbështet forcat shqiptare në luftën kundër zjarreve”, shkruan Soreca në median sociale Twitter.

Më tej Ambasadori Evropian, shkruan se sot kanë mbërritur helikopterët zjarrfikës nga Republika Çeke dhe Holanda. “I koordinuar dhe i bashkëfinancuar nga Mbrojtja Civile e BE-së dhe Ndihma Humanitare”.

Situata e zjarreve në Shqipëri

Në njoftimin më të fundit, nga ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, bëhet me dije se në këtë moment, nuk ka kërcënime në jetë dhe në banesa.

Sipas ministrit, vijon lufta me flakët. Peleshi shton se Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes civile, po punojnë për izolimin dhe neutralizimin e flakëve.

Karaburuni, Rips të Vlorës; Gadurove-Selite (Mallakastër), Thirë (Lezhë), Margegaj, Theth (Tropojë), Vërmosh (Malësi e Madhe), këto janë vatrat ende aktive në Shqipëri.

Beteja me vatrat e zjarrit është më shumë se 10 ditore. Kjo, mes përpjekjeve të autoriteteve për t’i vënë nën kontroll dhe rindezjes së tyre nga era.

Pesë banesa u dogjën më 5 gusht, në fshatin Gumenicё tё Vjetёr tё qytetit tё Vlorёs.

Gjithashtu rrezikohen banesa tё tjera, sipas autoriteteve lokale. Nё Gumenicë të Re janё djegur dy stane dhe disa bagëti.

Më 3 gusht, zjarri nuk kurseu as jetë njerëzish në Shqipëri. Në fshatin Asim Zeneli në Gjirokastër humbi jetë një i moshuar, ndërsa mbetën të asfiksuar 10 banorë të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore