Shqipëria

Shënohet viktima e parë nga zjarret në Shqipëri


Pasditen e martë të 3 gushtit është shënuar viktima e parë në Shqipëri, si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë vendin, pothuajse prej 10 ditësh.

Burime zyrtare për Albanian Post nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë me dije se një i moshuar, në fshatin Asim Zeneli, ka humbur jetën dhe se janë asfiksuar edhe 10 banorë të tjerë.

Ndërkohë, nga autoritet përkatëse ka nisur evakuimi i banorëve në dy fshatrat Arshi Lëngo dhe Asim Zeneli, pasi situata është më e rënduar.

Sipas informacioneve, çifti i bashkëshortëve janë përpjekur që të shuajnë flakët e zjarrit, por fatkeqësisht kjo i ka kushtuar jetën 60-vjeçarit Andrea Haxhiaj.

Sa i përket bashkëshortes së tij,  bëhet me dije se ajo gjendet në reanimacion, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC)

Prej një komunikimi të Albanian Post me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), janë raportuar në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile vetëm 4 vatra aktive në të gjithë vendin.

Në to përfshihet edhe Karaburuni që “ka paraqitur vështirësinë më të madhe dhe për të cilën janë angazhuar kapacitetet 521 FA, 50 mjete, një helikopter, dy autoambulanca, dy motorsharra edhe forca të tjera të Qarkut Vlorë”.

Gjithashtu është sqaruar se është kërkuar mbështetje edhe nga ERCC-ja për asistencë ndërkombëtare, por “duhet pasur parasysh që situata ka qenë shumë e rënduar me zjarre në disa vende të Ballkanit”.

E nga ana tjetër, AKMC-ja ka bërë me dije se po e ndjek në vazhdimësi të gjithë situatën nga afër me intensitetin më të lartë dhe është në koordinim të vazhdueshëm pa ndërprerje me strukturat e Mbrojtjes Civile, si në nivel qendror edhe në atë vendor.

Gjithashtu ka siguruar se “me këto ritme angazhimi dhe kapacitetesh pritet të ketë përmirësime të situatës”.

Situata në Gjirokastër

Më herët, gjatë ditës së sotme, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka njoftuar se në Bashkinë Gjirokastër është shfaqur një tjetër vatër zjarri e rrezikshme, në Njësinë Administrative Lunxhëri – Antigone, ku si pasojë e erës situata është përkeqësuar dhe se zjarri ka shkuar shumë pranë banesave.

Ministri ka bërë me dije se në vendngjarje po punojnë strukturat e mbrojtjes civile. Gjithashtu, në mbështetje kanë shkuar edhe Forcat e Armatosura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore