Lajme

Dëshmon gazetari Halil Berisha në Speciale: S’jam i lumtur që kam ardhë, por do ta them të vërtetën


Gazetari Halil Berisha në Gjykatën Speciale.

Gazetari Halil Berisha, ka dhënë dëshminë e tij si dëshmitar i dytë i Dhomave të Prokurorit të Specializuar në gjykimin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, por ka thënë se është obliguar të shkojë për të dëshmuar aty edhe pse nuk është i lumtur për këtë fakt.

“Kjo assesi nuk do ta pengojë faktin që unë do ta them vetëm të vërtetën. Megjithatë, unë këtu jam sepse më keni obliguar. Përndryshe, nuk jam shumë i lumtur që gjendem këtu”, tha Berisha para trupit gjykues.

Berisha e ka pranuar që i ka marrë disa dokumente nga objekti i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë.

“Numri i dokumenteve ishte goxha i madh dhe nuk kishte mundësi që nuk e kam ditur saktë se çfarë kishte në to. Nuk kishte pasur mundësi të xhirohen krejt dhe kështu e kam kërkuar një pjesë të dokumenteve”.

“Isha aty afër bashkë me të gjithë gazetarët dhe aty veç kam pyetur se a mund t’i marr një pjesë të dokumenteve. Mendoj që diku rreth 1 mijë faqe ndoshta”, shtoi gazetari Berisha.

Gazetari Halil Berisha.

Berisha ka punuar si gazetar për median kosovare Gazeta InFokus deri në muajin shtator të vitit 2020 dhe është dëshmitari i dytë i ZPS-në gjykimin ndaj Gucatit dhe Haradinajt.

Sipas rregullës 121(2) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DHSK,  dëshmitari është detyruar të paraqitet për të dëshmuar, si dhe ka të drejtë që të ndihmohet nga një mbrojtës kujdestar.

15 shtatori kishte shënuar fillimin e gjykimeve në Gjykatën Speciale në Hagë dhe i pari që u ballafaqua me akuzat që rëndojnë mbi të ishte, Salih Mustafa.

Aktakuza ndaj ish-eprorëve të UÇK-së ishte ngritur më 26 tetor të vitit 2020.

Katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi u arrestuan në nëntor të vitit të kaluar nga ZPS-ja.

Ndërtesa e Dhomave të specializuara në Hagë

Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999.

Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore