Lajme

Deputeti serb: Vuçiç e njohu pavarësinë e Kosovës, por nuk e ‘fitoi’ as Asociacionin


Miroslav Aleksiç

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Popullore në Serbi, Miroslav Aleksiç, tha se “fryma e marrëveshjes [franko-gjermane] është padyshim njohja e Kosovës” dhe se me pranimin e saj, pala serbe “nuk merr anëtarësimin e përshpejtuar në Bashkimin Evropian apo ndonjë gjë tjetër”.

“Marrëveshja parasheh njohjen reciproke të simboleve shtetërore, pasaportave, targave, kartave të identifikimit… Gjithashtu është paraparë që të mos ketë bllokim të ndërsjellë në rrugën e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare”, theksoi Aleksiç.

Aleksiç theksoi se problemi i Serbisë është se presidenti i saj, Aleksandër Vuçiç, është “i shantazhuar nga krimi dhe vrasjet e pazbardhura, si vrasja e Oliver Ivanoviç-it, si dhe nga korrupsioni, duke shkelur mediat dhe shtetin e së drejtës, kushtetutën dhe ligjin”.

“Vuçiç po negocion për vete, sepse marrëveshja mund të jetë e mirë vetëm për të, por jo për Serbinë. Marrëveshja nuk sjellë paqe, por krijon probleme në vitet e ardhshme”, konsderoi Aleksiç, transmeton gazeta serbe “Nova”.

“Është e logjikshme që opozita kosovare të ketë inat, sepse e kuptuan se Vuçiçi ishte i shantazhuar, i pambrojtur dhe negociator i dobët. Nëse Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk është formuar për dhjetë vjet, atëherë ata nuk do ta pranojnë as tani dhe duan të vazhdojnë tregtinë për të marrë edhe më shumë”, shtoi ai.

Në këtë kontekst, anëtari i partisë së ish-ministrit serb të Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiç, tha se presidenti i Serbisë në dhjetë vitet e kaluara “ka dhënë gjithçka, kurse nga ana tjetër Serbia nuk e ka marrë as Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”.

“Tani po luhet një lojë në të cilën rritet vlera e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në mënyrë që Serbia të japë gjithçka deri në fund, por në fakt Asociacioni as që duhet të jetë në këtë marrëveshje, ajo tashmë duhet të ishte krijuar”, vlerësoi ai.

Ndryshe, çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, derisa në më pak se dy javë palët duhet të pajtohen me krejt çfarë u është kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Marrëveshja do të përmbajë edhe një Aneks që synon të sigurojë zbatimin e të gjitha dispozitave të saj. Aneksi ka mbetur që të negociohet. Në momentin që ka pajtim për Aneksin, i gjithë instrumenti, Preambula, 11 nenet dhe dispozitat për implementimin mund të nënshkruhen.

Në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parashihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por me nenin 7 dhe 10 parashihet themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe status special për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore