Lajme

Deçani heq “Hidrodrinin” nga menaxhimi i ujërave


Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, gjatë një konference për media ka thënë se “kompania rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini” nuk do ta ketë më në menaxhim Deçanin”.

“Hapat ligjore janë të përcaktuar sepse janë rekomandime të një instituti kredibil të Kosovës. Do flasë vetëm për hapat politikë dhe administrativë që po ndiqen, kompania rajonale ‘Hidrodrini’ nuk do ta ketë më Deçanin me vete në menaxhim”, tha Ramosaj.

Sipas tij, “Kompania do jetë kompani komunale që do ketë adresim dhe do ketë në dispozicion taksat e qytetarëve të Deçanit që kjo kompani të jetë me standard më të lartë, që kjo kompani t’i përmbushë kriteret e standardet që t’i gjendet afër qytetarëve”.

Po ashtu ai ka bërë të ditur se 1392 persona kanë kërkuar ndihmë në Qendrën e Mjekësisë Familjare të Deçanit deri këtë të enjte.

“Deri në këtë moment janë 1392 njerëz që kanë kërkuar ndihmë dhe kanë marrë trajtim në QKMF në Deçan. Prej këtyre personave ka raste që kanë marrë shërbimin e dytë apo të tretë”.

Ndërkaq Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka njoftuar gjatë së enjtes se “në mostrat e  ujit të marra me datën 12.07.2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes  teknikës së identifikimit me MALDI-ToF në laboratorët e IKShPK Prishtinë, janë identifikuar disa bakterie që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm”.

Sipas njoftimit të IKShPK-së, ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal janë duke vazhduar për detektim të patogjeneve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore